UPDATE 1 DHJETOR


Situata në qytetin e Shkodrës paraqitet kritike.  Ndërsa uji i i reshjeve të një jave më parë nuk është tërhequr mirë nga fushat e Shkodrës, përmbytje të reja trokasin sërish në zonat e qytetit. Reshjet e shiut  të rëna me intensitet dhe shkarkimet e ditëve të fundit nga hidrocentrali i Vaut të Dejës sollën tejfryrjen e lumit Buna duke shkaktuar daljen nga shtrati.Reshjet e shiut të cilat kanë vazhduar pa pushim gjithë natën, dalja nga shtrati e lumit Buna dhe fryrja tej  mase e liqenit më të madh në Ballkan ka zgjeruar hartën e përmbytjeve. Uji vershon në lagjen Xhabije.

I pakalueshëm për mjetet e vogla Harku i Berdicës, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë. Sot policia ka ngritur postblloqe në hyrje të Shkodrës për të informuar qytetarët  mbi situatën por gjithashtu ata kanë ndaluar të lëvizin furgonët me pasagjerë që bëjnë linjën Shkodër- Tiranë. Burime zyrtare nga Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Shkodrës, mbrëmë bënë të ditur se si pasojë e reshjeve të shumta dhe vërshimit të ujit janë zhytur nën ujë plot 4.060 hektarë tokë.

Situata e rënduar nga përmbytjet e ka zhvendosur mbledhjen e qeversisë drejt qytetit të Shkodrës.Kryeministri Sali Berisha deklaroi se po merren masat për të përballuar situatën e krijuar, ndërsa shtoi se është e nevojshme nisja e “skemës së evakuimit të banorëve nga zonat e përmbytura. Citimi i djeshem i kryeministrit ishte: “për situatën e krijuar, duhet vepruar me shpejtësi. E rëndësishme është që të shpëtohen jetë njerëzish. Do të instalojmë sistemin e emergjencës”.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i ndodhur në prefekturën e Shkodrës gjatë mbledhjes se shtabit të emergjencave, deklaron se situata e përmbytjeve është përkeqësuar në 24 orët e fundit. Sipas tij proritet mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore, ndërsa i bën thirrje banorëve më të rrezikuar nga përmbytjet të evakuohen.
Shtabi i emergjencave ne Shkodër ka filluar të marrë të gjitha masat për evakuim. Natën e djeshme janë evakuar 5 familje dhe priten evakuime më të mëdha në rast të vazhdimit të shirave.

DEMET KRYESORE

Uji ka vërshuar dhe në Harkun e Bërdicës, pjesë e aksit nacional Shkodër – Tiranë të dhënat zyrtare raportojnë se niveli i ujit këtu arrin në 30 cm.
Situata më kritike është në komunat Ana e Malit, Obot, Dajç dhe Velipojë. 3 komunat janë të izoluara nga uji. Lëvizja me automjete të vogla është e pamundur dhe bëhet vetëm me automjete ushtarake.
Si pasojë sot paradite në hyrje të Shkodrës tek Pedonalja ka patur vështirësi të mëdha për qarkullim si pasojë e ujit që ka pushtuar zonën.
Krahas banesave të fshatrave dhe tokave bujqësore, e përmbytur vazhdon të jetë rruga që lidh Obotin me aksin rrugor Shkodër-Muriqan, e vetmja dalje e këtij fshati për komunikimin me qytetin.
Ndonëse në një nivel më të vogël se sa Oboti, shqetësime serioze janë paraqitur edhe në fshatin Muriqan, ku edhe aty ka sipërfaqe të mëdha toke të përmbytur, si dhe shtëpi me prezencën e ujit. 

Caritas Shqiptar

Caritasi Shqiptar me Caritas-in Dioqezat Shkodër kanë disa dite që monitorojnë situatën në zonën e Shkodrës për të parashikuar një nderhyrje te mundshme. Zonat e prekura janë të shumta dhe shqetesim kryesor ngelet asistenca në rast evakuimi.
Drejtori i Caritas Albania ka inspektuar zonën ditën e martë dhe ka zhvilluar një takim me autoritetet lokale dhe strukturat e Caritas-it Dioqezan.
Autoritetet lokale i kërkuan Caritas-it Shqiptar që të jetë i pregatitur në rast të evokuimit të banorëve. Ndërkohë takimet me Caritas-in Dioqezan kanë synuar më shumë në vlerësimin e kapaciteteve pritëse që ekzistojnë në strukturat e Caritas në rast evakuimi.
Kontakte të vazhdueshme po mbahen nga ekipi i emergjencave me përgjegjësit e Qendrës Orionin që operon në Obot që është dhe një nga zonat me të prekura nga kjo situatë. Në bashkëpunim me komunitetin Orionin janë shpërndarë për familjet e izoluara nga përmbytjet në Obot uji i pijshëm dhe ushqime.

Parashikimi për ndërhyje është kryesisht i orientuar drejt sigurimit të qendrave pritëse në rast evakuimi. Për këtë do të kërkohej parapërgatitje veçanërisht për materiale ushqimore, veshmbathje dhe materialet për fjetje (batanije , dyshekë, çarçafë etc).

Ekipi është në monitorim të vazhdueshëm të situatës.