UDHËTIMI ME GAZETARËT 2012

VIZITË NË QENDRËN “BALONAT” NË CËRRIK

PROJEKTI I CARITAS-it SHQIPTAR I FINANCUAR NGA QEVERIA GJERMANE

Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë ka organizuar “Tetorit Gjerman”, programin e aktiviteteve të Javëve Gjermane, të cilat zhvillohen tashmë për herë të gjashtë rradhazi në Shqipëri. Në kuadër të “Tetorit Gjerman” kjo ambasadë organizoi një udhëtim me gazetarë të mediave nën shoqërimin e ambasadores Carola Müller Holtkemper në Shqipërinë e Mesme dhe Juglindore. Qëllimi i këtij udhëtimi ka qenë vizita në projekte të ndryshme, të cilat financohen nga qeveria Gjermane. Një nga ndalesat e këtij grupi ka qenë edhe Projekti Rinor – Qendra në Cërrik. Qendra u vizitua më 18 tetor 2012. Menaxherja e projektit ka shoqëruar grupin nga ambasada deri në qendër për tu shpjeguar në detaje projektin dhe zbatimin e tij në të dy zonat e synuara. Të pranishëm në Cërrik në këtë vizitë kanë qenë: Drejtori i përgjithshem i Caritas-it Shqiptar Z. Albert P. Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Cërrikut Z.Servet Duzha, drejtori i shërbimit social në Elbasan, ekipi i qendrës, fëmijët dhe prindër të fëmijëve të qendrës. Autoritetet e pranishme kanë mbajtur fjalën për të shprehur falënderimet për mbështetjen e dhënë nga Qeveria Gjermane për këto nisma që sjellin zhvillim në zona të tilla.
Motër Camilla Maenza ,përgjegjëse e qendrës, i uroi mirëseardhjen Znj. Ambasadore si dhe u shpjegoi të ftuarve fillesat e qendrës “Balonat”, punën që realizohet nga ekipi multidisiplinar në këtë qendër si dhe rendësinë e shërbimeve që ofrohen nga kjo qendër për fëmijët dhe komunitetin e zonës. Më pas Kryetari i Bashkisë Z. Servet Duzha falënderoi Qeverinë Gjermane dhe Caritas-in Shqiptar për këtë projekt dhe për punën që po realizohet në qytetin e tyre për integrimin e fëmijëve të komuniteteve të ndryshme.
Z. Albert P. Nikolla, drejtor i Caritas Shqiptar, falënderoi Ambasadoren për praninë e saj në këtë qendër si dhe për mbështetjen që Qeveria gjermane po i jep Projektit të Caritas-it Shqiptar. Ai vlerësoi përqasjen dhe mendësinë gjermane në implementimin e projekteve të tilla si dhe marrjen e këtij modeli edhe në implementimin e projekteve të tjera të Caritas-it. Drejtori i Caritas-it shprehu mirënjohjen për angazhimin e qeverisë gjermane dhe Caritas-it Gjerman, të cilët po ndihmojnë edhe në përmirësimin e strukturës së qendrës. Vitin tjetër me fondet e qeverisë gjermane do të ndërtohet një qendër sociale rinore në Cërrik, e cila do të përmirësojë shërbimet në qendër pasi hapësirat do të jenë më të mira.

Ambasadorja Carola Müller – Holtkemper gjithashtu përshëndeti të pranishmit duke vlerësuar punën që bëhet në këtë qendër për përmirësimin e jetës së këtyre fëmijëve dhe rëndësinë që ka kjo për shoqërinë shqiptare. Ajo gjithashtu shprehu përkrahjen e saj për nisma të tilla dhe se e ardhmja e vendit janë fëmijët dhe të rinjtë. Fëmijët gjithashtu dhanë një shfaqje për të pranishmit me elementë të ndryshëm si këngë, teatër, valle. Një koktej i vogël u organizua për të ftuarit.
Fëmijët u shprehën të ftuarve se ata mund t’i vizitojnë sa herë që ata të dëshirojnë, qendra e tyre i ka dyert hapur gjithmonë.