Vizita e Sopranos Ermonela Jaho në Qendrën e Kujdesit Ditor “Jetë në zhvillim”, Arrameras, Fushë-Krujë / 1 qershor 2015

P1020358Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho vizitoi më 1 Qershor 2015 Qendrën e Kujdesit Ditor për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuar “Jetë në zhvillim”, në Arrameras, Fushë-Krujë. Sopranoja mundësoi, më 14 Dhjetor 2014, organizimin e Koncertit të Bamirësisë “Nuk ka rëndësi sa ndihmojmë, por sa dashuri dhurojmë teksa ndihmojmë”. Fondet e mbledhura mundësuan hapjen e aktiviteteve të reja në qendrën e kujdesit ditor, aktivitete, të cilat do të aftësojnë përdoruesit e shërbimit në qendër duke synuar orientimin e të rinjve me aftësi të kufizuar drejt tregut të mbrojtur të punës. Sopranoja e mirënjohur vizitoi mjediset e qendrës, takoi fëmijë dhe të rinjtë që frekuentojnë këtë qendër dhe bisedoi gjatë me ta duke u ndalur dhe duke mësuar për secilin prej tyre. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Presidenti i Caritas-it Shqiptar Sh. T. Imzot George Frendo, Drejtori i Caritas-it Shqiptar Dr. Albert Nikolla, stafi i Caritas-it dhe prindër e të afërm të fëmijëve dhe të rinjve që frekuentojnë qendrën ditore. Momente emocionuese për sopranon e mirënjohur që ka shkëlqyer në sa e e sa skena botërore, por me një thjeshtësi të jashtëzakonshme u përkul para këtyre fëmijëve me lot në sy. “Janë emocione që nuk i kam provuar kurrë më parë, këtu është mrekullia e Zotit”, u shpreh sopranoja teksa prekte nga afër këtë realiteti për të cilën ajo kontribuoi me shumë dashuri. Para se të largohej ajo përcolli një mesazh falënderimi dhe solidariteti për këta fëmijë. Në fjalën e saj ajo theksoi sa e rëndësishme është të solidarizohemi në mbështetje të këtyre personave, që kanë shumë nevojë për dashuri. Ajo theksoi se para tyre ndihej shumë e vogël dhe shumë e emocionuar dhe bëri thirrje që kushdo që ka mundësi të japë pak nga vetja e tij për këta persona. Në fjalën e tij përshëndetëse presidenti i Caritas-it Shqiptar Sh.T. Imzot George Frendo theksoi se ndihej shumë i prekur nga humanizmi i këngëtares dhe fakti që sopranoja ka folur gjatë kësaj vizite për mrekullitë e dashurisë. “Ku ka dashuri mund të bëjmë mrekulli, theksoi Imzot Frendo në fjalën e tij. Dashuria është gjuha që kuptohet nga të gjithë, pavarësisht nga raca, klasa shoqërore, ngjyra.

qendra_ditore_04Është gjuha e dashurisë që mund të bëjë këto mrekulli dhe kjo bën të mundur që ne të jetojmë bashkë në dashuri dhe në lumturi”. Një falënderim për sopranon e mirënjohur për këtë gjest dashurie dhe solidariteti erdhi edhe nga Drejtori i Caritas-it Shqiptar Dr. Albert Nikolla. Ai falënderoi këngëtaren dhe artisten e mirënjohur e cila, theksoi dr. Nikolla, është e jashtëzakonshme jo vetëm në art, por është e jashtëzakonshme në shpirt. Kjo është një ndër dhuratat më të bukura që ka marrë Caritas-i Shqiptar ndër vite. Por ai nuk harroi të falënderonte edhe stafin e qendrës, të cilët me një përkushtim të jashtëzakonshëm kujdesen për këta fëmijë dhe japin çdo ditë nga dashuria e tyre për ta. Një falënderim nga gjithë stafi i Caritas-it Shqiptar, fëmijët dhe të rinjtë e qendrës “Jetë në zhvillim” Arrameras dhe nga prindërit e tyre për sopranon e mirënjohur që dhuroi shumë dashuri dhe bëri që këta fëmijë dhe familjet e tyre të përjetojnë një ditë ndryshe.