Nga data 21-23 Prill 2015 një grup nga Caritas-i Shqiptar morën pjesë në një vizitë studimore të zhvilluar në Austri në kuadër të programit mbi aftësinë e kufizuar në bashkëpunim me Caritas St.Polten. Gjatë kësaj vizite stafi i Caritas-it Shqiptar pati rastin të realizonte një sërë vizitash dhe të njihej me realitete sociale të ndryshme në Austri. Ndalesa e parë e stafit ishte në një furrë buke e organizuar si ndërmarrje sociale për personat me aftësi të kufizuar. Drejtuesi i këtij biznesi social diskutoi gjatë mbi mënyrën e organizimit të punës, mënyrën se si personat me aftësi të kufizuar arrinin deri tek biznesi dhe aftësimi i tyre për punë. Stafi i Caritas-it u njoh nga afër me të gjitha proceset dhe teknikat e punës që kryheshin në këtë biznes social. U diskutua gjatë gjithashtu edhe pjesa e marketingut si një ndër hallkat kyçe të mbarëvajtjes së aktivitetit. Dita e dytë e vizitës në St. Polten ishte shumë e rëndësishme. Gjatë paradites stafi mori pjesë në një takim mbi përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, sfidat dhe mundësitë. Takimi ishte interaktiv dhe u shkëmbyen praktikat më të mira për të dyja palët. Gjatë pasdites stafi kishte të rezevuar një takim me përfaqësues të Departamentit GS5 për personat me aftësi të kufizuar të Qeverisë Provinciale të Austrisë. Gjatë kësaj vizite stafi i Caritas-it Shqiptar shoqëruar nga përfaqësues të Caritas St.Polten u takua me Anëtarin e Parlamenti Z. Erber Anton, përfaqësues i Partisë Popullore, Znj. Joichl Maria dhe Dr. Cernelic Jan. Mënyra e financimit të shërbimeve për aftësinë e kufizuar ishte krejt ndryshe pasi atje shteti ofron asistentin personal dhe financon 50% te këtyre shërbimeve. Dita e fundit e vizitës vijoi me një vizitë në një qendër ditore në Forth, ku drejtuesi i qendrës prezantoi të gjitha mjediset e punës dhe punimet që realizoheshin nga përfituesit. Gjithashtu stafi i qendrës ditore Arrameras pati mundësinë të paraqiste punën e bërë në Qendrën Ditore të “Jetë në Zhvillim” Arrameras, ku po punohet prej vitesh me mbështetjen e Caritas St.Polten. Ndërkaq, të ftuar në këtë takim prezantuan se si është e organizuar metoda Peer to Peer duke sjellë modele konkrete në takim. Dy persona me aftësi të kufizuar ishin pjesë aktive e takimit duke sjellë përvojat e tyre personale.

vizita austri 2