1-4 dhjetor 2015

Gjatë periudhës 1-4 dhjetor 2015, në kuadër të projektit “Të jesh aktiv-Pa barriera”, financuar nga Agjencia Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe Caritas Austria, u realizua një vizitë studimore në Austri. Në këtë vizitë morën pjesë Zv.Ministrja e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Znj.Bardhylka Kospiri me disa përfaqësues nga kjo ministri, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Z. Fran Frrokaj, Kryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Z. Zef Hila, Drejtori i Caritas-it Shqiptar, Dr. Albert Nikolla me stafin e Caritas-it, përfaqësues nga Bashkia Laç, Kryetari i Shoqatës së të Verbërve për Lezhën, Z. Zef Lleshi, Nënkryetari i shoqatës së Tetra dhe Paraplegjikëve për Laçin, Z. Aleksandër Gjoka. Kjo vizitë u zhvillua me qëllim shkëmbimin e njohurive mbi politikat e përfshirjes sociale dhe politikat e mbrojtjes për personat me aftësi të kufizuar në dy vendet. Delegacioni shqiptar gjatë kësaj vizite u njoh me praktikat më të mira për lehtësimin e përfshirjes së partnerëve socialë në ofrimin e shërbimeve mbështetëse për personat me aftësi të kufizuar. Dokumenti i politikave të përfshirjes sociale në Shqipëri i 2015-2020, nënvizon rëndësinë e prioritizimit të aksesit të shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuar. Programet e qeverisë kanë identifikuar si problemet më të mëdha mungesën e aksesit të shërbimeve. Gjatë këtyre tre ditëve delegacioni shqiptar pati një program të ngjeshur, takime të shumta me aktorë kyç të pushtetit qendror dhe vendor si dhe vizita të ndryshme në qendrat e Caritas-it St. Pölten ku ofroheshin shërbime për personat me aftësi të kufizuar. Në ditën e parë menjëherë pas mbërritjes në Austri delegacioni shqiptar i shoqëruar nga stafi i Caritas St. Pölten mori pjesë në një konferencë në Universitetin e St.Pölten. Tema e kësaj konference ishte: “Përfshirja sociale e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri dhe Austri”. Studentët e këtij universiteti ishin përgjithësisht studentë të vitit të parë të Punës Sociale, të cilët ishin marrë me përgatitjet e kësaj konference. Ata kishin zhvilluar më përpara intervista online me aktorët kyç të këtij delegacioni, ku edhe mësuan mbi përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri. Dita e dytë filloi me një takim me Dr. Jan-Philip Cernelic nga Qeveria lokale e Austrisë së Poshtme. Ky takim u zhvillua në mjediset e Caritas St.Pölten. Takimi konsistoi mbi përmbledhjen e shërbimeve, procesin e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuar dhe partneritetin me OJF-të e ndryshme që veprojnë në fushën e aftësisë së kufizuar. U shkëmbyen mjaft ide në lidhje me temën si dhe u ofruan shumë modele që mund të jenë një pikë referimi për strukturat në Shqipëri. Pas këtij takimi delegacioni shqiptar u shoqërua për në Furth-Palt ku Caritas-i St. Pölten kishte një qendër ditore për personat me aftësi të kufizuar konjitive. Gjatë vizitës në këtë qendër e pranishme në këtë takim ishte edhe Znj. Barbara Schwarz, Ministre e Çështjeve Sociale të qeverisë provinciale të Austrisë së Poshtme, e cila përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi bashkëpunimet e qeverisë provinciale me Caritas-in. Më pas pati disa inpute nga Andrea Fritsch nga Caritas St. Polten mbi rolin e OJF-ve dhe partneritetin mes Qeverisë Lokale. Në këtë takim përshëndeti edhe Zv. Ministrja Znj. Bardhylka Kospiri, e cila përgëzoi për shërbimin që ofrohej në këtë qendër dhe falënderoi për mundësinë që iu dha grupit shqiptar për t’u njohur më nga afër me praktikat më të mira në ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar. “Shqipëria, theksoi Znj. Kospiri, ka bërë hapa përpara në këtë drejtin, por ka akoma shumë për të bërë dhe modelet që po shohim këtu na ndihmojnë shumë në punën tonë dhe në reformat që duam të ndërmarrim”. Pas dreke delegacioni vizitoi edhe një qendër tjetër të Caritas St.Pölten, një qendër riciklimi në Pochlarn. Në këtë qendër ishin rreth 30 persona me aftësi të kufizuar që merreshin me riciklimin e televizorëve të përdorur. Drejtori i kësaj qendre shpjegoi si ka filluar kjo qendër të funksionojë, me se merret dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në punë. Në mbrëmjen e ditë së dytë delegacioni shqiptar mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve nga një projekt për të rinjtë për “Wheelday”. I pranishëm në këtë event ishte edhe deputeti i parlamentit austriak Dr. Franz Joseph Huainigg. Pas ndarjes së çmimeve folësi kyç në këtë event ishte Zv. Ministrja Znj. Bardhylka Kospiri. Znj. Kospiri përshëndeti të pranishmit për nismën dhe përgëzoi të rinjtë për idetët e tyre në ideimin dhe realizimin e projekteve në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në organizimin e këtyre nismave. Ndërsa në ditën e tretë u zhvillua një takim në mjediset e Caritas St.Pölten me vetëpërfaqësuesit e Caritas dhe anëtarët e Komitetit të monitorimit në Caritas St.Pölten. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga Qendra e Riciklimit Pochlarn, qendra ditore, shërbimi psikosocial si dhe Club 81. Pasdite u vizutua Parlamenti Austriak si dhe u zhvillua një Konferencë po në mjediset e Parlamentit. Konferenca u drejtua nga Anëtari i Asamblesë Kombëtare Dr. Franz Joseph Huainigg. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Dr. Hofer, i cili u përqëndrua në Ligjin mbi barazinë dhe Dr. Schuster, i cili u foli të pranishmëve mbi Lidhjen midis Ministrisë dhe sektorit të OJF-ve. Pati edhe shkëmbime përvojash si dhe pyetje të ndryshme nga pala shqiptare në lidhje me temat e trajtuara. Pas takimit në Parlament pasoi një shëtitje në Vjenë, ku u vizitua marketi i Krishtlindjeve. Vizita u mbyll me darkën zyrtare në “Vinzirast” ku morën pjesë Dr. Huainigg dhe Martin Ledolter nga Agjencia Austriake e Bashkëpunimit për Zhvillim.
Prezantimi me modelet austriake në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në proceset vendimarrëse ndihmuan pjesmarrësit shqiptarë në takim në krijimin e ideve për përshtatjen e politikave të tilla edhe në Shqipëri. U diskutua gjithashtu për bashkëpunime të mëtejshme për programe të ndryshme.

DSCN4369