18.05.2015/ Caritas Shqiptar

Në mjediset e Caritas-it Shqiptar, me datë 18.05.2015 u mbajt workshop-i i dytë me organizatat vullnetare NET – AGE. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të moshuarve aktive në Tiranë, përfaqësues i shtëpisë së të moshuarve në Kavajë, përfaqësuese e shtëpisë së të moshuarve Tiranë, shoqata e pensionistëve të Shqipërisë, shoqata e Integrimit të Pensionistëve të Shqipërisë, Unioni Shqiptar i Pensionistëve të Shqipërisë. Menaxherja e projektit theksoi rëndësinë e përqëndrimit të vëmendjes ndaj moshës së tretë si nga ana e Caritas-it, por edhe të gjitha organizatave të tjera që ofrojnë shërbime për të moshuarit. Caritas-i prej tre vjetësh ofron një shërbim të kualifikuar për moshën e tretë. Me një ekip multidisplinar Caritas-i ofron një shërbim cilësor dhe ekziston synimi i mirë për ta shtrirë këtë praktikë dhe për ta bashkëndarë.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi i udhërrëfyesit mbi shërbimin në banesë për të moshuarit, si dhe propozimi për hartimin e marrëveshjes së mirëkuptimit midis ofruesve të shërbimeve dhe organizatave të përdoruesve.  Në fillim të këtij workshop-i menaxherja e projektit rikujtoi rekomandimet e dala nga workshop-i i parë zhvilluar me organizatat vullnetare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, kujdesin në banesë e përkufizon si “mundësi” për t’i ofruar të moshuarit në banesë shërbime që kontribuojnë në mbajtjen e një niveli maksimal mirëqënieje, shëndeti dhe funksioni”.

Ndër pikat kryesore të këtij Udhërrëfyesi u theksuan dhe u diskutuan me të pranishmit:

-Format e Kujdesit në banesë

-Detyrimet primare të Kujdesit infermieror në banesë

-Objekti i kujdesit infermieror në banesë

-Detyrat organizative të infermierit

-Detyrat kryesore të infermieres kujdestare

Udhëzime lidhur me dëmtime specifike

Pjesëmarrësit gjithashtu diskutuan mbi marrëveshjen e mirëkuptimit, mbi angazhimin afatgjatë dhe bashkëpunimit midis ofruesve të shërbimeve për të moshuarit dhe organizatave të përdoruesve, për një vision të përbashkët për planifikimin dhe shpërndarjen e shërbimeve në komunitet.

Në pjesën e dytë të këtij takimi u diskutua mbi hartimin e Plan Veprimit për aksionet e përbashkëta, hartimin e marrëveshjes, kryesisht të fokusuara në ofrimin e shërbimit në banesë dhe promovimin e moshimit aktiv.

Në fund të këtij takimi pjesëmarrësit dolën me disa sugjerime:

Sistemi i Referimit

– Lidhja e strukturave private dhe publike per orientimin e të moshuarve për të marrë shërbim sipas nevojave të tyre.

– Heqja e barrierave burokratike për ofrimin e kujdesit shëndetësor nga mjeku i familjes.

– Vullnetarizmi i njohur “i paguar” dhe ligji për njohjen e vullnetarizmit të paktën me njohje kreditësh.

– Ndryshon infermieri në banesë dhe infermier vullnetar në banesë. Duhet specifikuar termi. Është më e nevojshme një asistent në banesë, jo domosdoshmërisht infermier.  Variant i mirë për të ndërtuar shërbimin në banesë janë shkollat. Mosha mbi 18 vjeç.

– Një ndër problematikat kryesore është mungesa e shërbimit në banesë e rregulluar me ligj. Mungon legjislacioni. Dhe është shumë i rëndësishëm lobimi për ndryshimin e ligjit.

– Problematikë tjetër që prek moshën e tretë është edhe mungesa e struktuarave gierarkike për trajtimin e problemeve specifike. Nuk ka as infermier, as mjek qe kërkojnë një specializim gierarkik. Është shumë e rëndësihme theksuan të pranishmit rritja e interesit nga ana e strukturave shtetërore për moshën e tretë.

2