YourJob III – FUQIZIMI I TË RINJVE NË KAMËZ DHE TIRANË NËPËRMJET MUNDËSIVE TË PUNËSIMIT 
Caritas Shqiptar, ka nisur zyrtarisht zbatimin e programit YourJob III me mbështetjen e Caritas Austria, duke vijuar edhe këtë vit misionin për fuqizimin dhe integrimin socio-ekonomik të të rinjve. Në këtë fazë, fokusi i ndërhyrjes përqendrohet në Tiranë dhe Kamëz, dy zona ku nevoja për mbështetje dhe orientim profesional mbetet e lartë.
YourJob është një nga ato programe që ndër vite ka ndërtuar histori reale suksesi, duke u dhënë të rinjve mundësi konkrete për punësim, zhvillim personal dhe ndërtim të një perspektive të re për jetën. Për shumë prej tyre, pjesëmarrja në program ka shënuar një pikë kthese, duke ndryshuar jo vetëm rrugën profesionale, por edhe besimin tek vetja dhe e ardhmja.
Sot, në vitin e 7-të të zbatimit, mijëra të rinj janë bërë pjesë e programit YourJob të Caritas Shqiptar. Megjithëse shifrat kanë rëndësinë e tyre, suksesi i vërtetë matet përmes historive dhe dëshmive të vetë të rinjve, të cilat flasin më fort se çdo statistikë.
Gjatë viteve, programi ka ofruar një paketë të gjerë ndërhyrjesh, duke përfshirë: këshillim dhe orientim në karrierë, trajnime mbi aftësitë e buta dhe jetësore, kurse profesionale, praktika pune (internship), mbështetje për startup-e.
Falë këtij rrugëtimi të suksesshëm, YourJob vazhdon sot mbi një bazë të qëndrueshme, duke krijuar impakt pozitiv jo vetëm tek individët përfitues, por edhe në komunitetin më të gjerë.
Dyert e programit janë të hapura për çdo të ri nga Tirana dhe Kamza që ndodhet në kushte vulnerabiliteti dhe ka dëshirë të ndërtojë një të ardhme më të sigurt, përmes diskutimit të mundësive që ofron projekti dhe ndermjetësimeve të mundshme drejt punësimit.