Një histori suksesi mbresëlënëse është ajo e Albanit, një djalë i ri nga një fshat i vogël por shumë piktoresk në veri të Shqipërisë, i cili ka arritur të realizojë ëndrrën e tij të hapjes së një dyqani me produkte tradicionale nga fshati, falë mbështetjes nga Caritas Shqiptar në kuadër të programit YourJob.
Albani kishte një pasion të madh për bujqësinë dhe prodhimin e ushqimeve natyrale. Pas shumë vitesh që kishte punuar në pronën e tij në Katundin e Vjetër, Rrëshen, ai kishte mësuar gjithçka për kultivimin e produkteve organike. Ai vendosi të hapte një dyqan të veçantë, ku do të ofronte vetëm produkte të freskëta dhe të shëndetshme nga fshati, si djathë, vezë, perime, fruta dhe mjaltë, gjithmonë të kultivuara në mënyrë natyrale dhe pa përdorimin e kimikateve. Një risi e biznesit të Albanit është dhe prodhimi i akullores gjatë stinës së verës duke përdorur qumësht të freskët lope.
Në fillim, ai kishte vetëm një ide dhe një dëshirë të madhe për të pasur biznesin e tij, por pa një kapital për ta realizuar atë. Ai kishte dëgjuar rreth Caritas Shqiptar dhe një projekti që zbatonte në disa zona të Shqipërisë, përfshirë edhe Rrëshenin. Nuk hezitoi të vihej në kontakt me koordinatorin e zonës dhe të shprehte interesin e madh për t’u bërë pjesë e YourJob. Shumë shpejt, ai mori informacion rreth mundësive që projekti i Caritas Shqiptar ofronte për të rinjtë, fillimisht nëpërmjet trajnimeve mbi sipërmarrjen. Albani ndoqi me kujdes çdo aplikim dhe procedurë të nevojshme që të bëhej pjesë e kësaj mundësie të madhe, që do t’i ndryshonte jetën dhe do ta ndihmonte të realizonte ëndrrën e tij. Albani kaloi me sukses çdo fazë të procesit dhe u shpall fitues. Ai nuk e besonte se ëndrra e tij po merrte jetë dhe po realizohej.
Caritas Shqiptar e mbeshteti jo vetëm financiarisht, por edhe me këshilla dhe udhëzime për menaxhimin e biznesit, promovimin e produkteve dhe menaxhimin e lidhjeve me furnizuesit. Falë kësaj mbështetjeje, ai filloi të ndihmojë edhe fermerë të tjerë në fshat që kishin produkte të cilësisë së lartë, por nuk mund të gjenin mundësi për t’i shitur ato në treg.
Ky grant i mundësoi Albanit të investonte në infrastrukturën e nevojshme për dyqanin e vogël, si dhe të siguronte produktet më të mira të mundshme për konsumatorët.
Sot, dyqani i tij është një pikë referimi për ata që kërkojnë produkte autentike dhe të freskëta nga fshati. Duke qenë i pozicionuar në një zonë që është mjaft e frekuentuar nga turistë shqiptarë dhe të huaj për kulinarine dhe cilësinë e ushqimit të kësaj zone, Albani ka arritur të rrisë ndjeshëm biznesin e tij.
Duke qenë në fillimet e biznesit, Albani punon vetë, duke u ndihmuar vetëm nga bashkëshortja. Ai tashmë është bërë një shembull frymëzues në komunitetin ku jeton për të tjerët që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme.
Historia e tij është një dëshmi e fuqisë që ka mbështetja e duhur në transformimin e një ideje në sukses. Ai është shumë mirënjohës dhe falënderues për Caritas Shqiptar, me ndihmën e të cilit Albani realizoi ëndrrën e tij.