www.caritasalbania.org
www.pabarriera.org

Aksesi në informacionin cilësor, përveçse është një e drejtë themelore, është ai që na lejon të marrim vendime të shëndosha dhe të bazuara në informimin për gjërat që më së shumti na prekin. (Nga Milagros Costabel13 prill 2020)

Në situata të pashembullta sikurse është kriza shëndetësore botërore e COVID-19-ës, mundësia e aksesimit të informacionit cilësor mund të përbëjë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes.

Në teori, personat me dëmtim shikimi duhet të jenë në gjendje të aksesojnë të njëjtin informacion si të ngjashmit tanë me shikim përmes përdorimit të teknologjisë ndihmëse. Por, për më shumë se 285 milionë persona me një lloj aftësie të kufizuar pamore anembanë botës, aksesueshmëria është ende sot një problem shumë i madh i pazgjidhur: “Aksesueshmëria është një fushë për të cilën njerëzit sot nuk i ha fort meraku. Le të themi se ajo sot nuk tërheq vëmendjen”, thotë José Manuel Delicado, një konsulent i aksesueshmërisë teknologjike.

Që nga kanalet zyrtare të qeverisë deri te organet e shtypit ndërkombëtar, barrierat në aksesueshmëri — duke nisur që nga informacioni i dhënë përmes imazheve deri te vidiot që nuk shoqërohen me asnjë lloj përshkrimi — janë të pranishme edhe në ato faqe të cilave u besojmë më së shumti kur është fjala për marrje informacioni.

Barriera që mund të shmangen

Funksioni kryesor i teknologjisë ndihmëse që përdoret nga personat me dëmtim shikimi është të na mundësojë të aksesojmë përmbajtjen digjitale në të njëjtën mënyrë si personat që shohin. Ekranlexuesit, që përdoren prej atyre me dëmtim të rëndë shikimi, janë aplikacione që janë në gjendje të transmetojnë shumëçka që gjendet në ekran përmes një sintetizatori zanor.

Megjithatë, jo gjithçka që është në ekran mund të interpretohet me anë të këtyre programeve, sikurse është rasti i imazheve të cilave u mungojnë tekstet përshkruese alternative: “Imazhet janë përmbajtje pamore, unë dhe ti kemi një aftësi të kufizuar pamore, dhe ne s’do mend se e humbasim përmbajtjen që gjendet brenda këtyre imazheve”, thotë Delicado dhe shton: “S’është nevoja të thuhet se nëse e tërë faqja përbëhet nga imazhe dhe në të s’ka fare tekst, atëherë ne s’kemi ç’lypim aty”.

Përmes krizës së COVID-19-ës shumë prej informacioneve vjen përmes statistikave që portretizohen me paraqitje grafike, një format që gjithashtu përbën problem për përdoruesit e ekranlexuesve. “mendoj se një nga gjërat më të ndërlikuara është informacioni grafik, sepse shumicën e kohës kjo është ajo që mungon”, thotë Manuel Cortez, një programues software-esh për persona me dëmtim pamor. “ta zëmë se ti merr një grafik që ka një vijë të drejtë që ndahet me anë të ngjyrave, për shembull, dhe që thotë se që këtu e deri atje, është blu. Ndoshta në tekst shpjegojnë, se ngjyra blu përfaqëson numrin e infeksioneve, në këtë rast, por natyrisht që ti s’mund ta marrësh me mend se sa është përqindja”.

Imazhet pa asnjë lloj përshkrimi janë të pranishëm në të gjitha hapësirat e mundshme digjitale, dhe në një numër të madh rastesh, ky problem prek informacionet e shpërndara nga ana e qeverive, organizaatave ndërkombëtare dhe mediumeve tradicionale. Departamenti i Shëndetësisë dhe i Përkujdesjes Shoqërore i Anglisë, për shembull, shpesh i publikon shumë prej këshillave të tij për publikun në formate të paaksesueshme, sikurse mund të verifikohet përmes këtyre tuiteve nga fushatat e RNIB, një degë e Institutit Mbretëror të të Verbërve që advokon për përfshirjen e personave të verbër në të gjitha aspektet e jetës.

Informacioni grafik, megjithëse rezulton të jetë një nga problemet më të mëdha, nuk është pengesa e vetme me të cilat përballen personat me dëmtim pamor kur është fjala për aksesin në informacionet online. Videot informative, që janë kaq gjerësisht të përhapura për momentin, nuk kanë kurrfarë kuptimi për ne kur konsistojnë vetëm në imazhe apo muzikë, apo kur shpjegimi i asaj që po ndodh në to është i pamjaftueshëm.

“Kanali i qeverisë spanjolle në Telegram, “Ministria e Shëndetësisë”, i transmeton të gjitha këshillat si imazhe”, thotë Juanjo Montiel, ekspert i lartë programimi në “Pasiona” dhe fitues i Çmimit Microsoft MVP për vitin 2017: “Problemi nuk ekziston vetëm në Internet, nuk funksionojnë as kanalet alternative”.

Si në të gjitha llojet e situatave, ka probleme më të padukshme dhe, ndoshta më pak të kapshme. “Formularë të pashpjeguara me shkrim, shkrimi i papërshtatshëm, titujt me hierarki të papërshtatshme, tabelat e bëra keq, listat e pamarkuara”, shpjegon Pedro Esquiva, koordinator aksesueshmërie në Ilunion Technology and Accessibility. “Edhe kontrasti në faqe duhet të jetë i dallueshëm në masën e duhur me qëllim që personi me dëmtim pamor të mund ta aksesojë tamam përmbajtjen. Shkronjat e çuditshme që nuk mund të verbalizohen nga ana e ekranlexuesit përbëjnë gjithashtu problem”, shton Jesús Pavón, ekspert aksesueshmërie në po këtë kompani.

Problem i ndërlikuar, zgjidhje e thjeshtë

Këto barriera mund të hiqen me lehtësi me pak punë, ndërgjegjësim dhe kuptim – jo vetëm nga ana e atyre që punojnë në industrinë e teknologjisë, por edhe nga ata që krijojnë, konsumojnë dhe shpërndajnë materiale në rrjet. “Çelësi qëndron tek vëmendja”, thotë Delicado.

Problemi me imazhet mund të zgjidhet kollaj po t’u shtohet atyre një lloj përshkrimi për të na dhënë një ide për llojin e informacionit që gjendet në to. Përshkrimi i imazheve, megjithëse duhet të realizohet nga ana e mediumeve, organizatave dhe kompanive, luan një rol të rëndësishëm edhe në hapësira më pak zyrtare, sikurse janë rrjetet sociale që ne frekuentojmë përditë.

Kur është fjala për përmbajtjen multimediale, zgjidhja duhet të zbatohet nga fillimi. “Gjithmonë kam menduar se dikush që prodhon video duhet të punojë duke menduar se disa nuk do të jenë në gjendje t’i shohin”, thotë Cortez. Në shumë raste, mjafton të shtosh pak më shumë shpjegime kur i prodhon videot, kurse në raste të tjera, sisteme të tilla sikurse është përshkrimi audio – që konsiston në një zë shoqërues që tregon se çfarë po ndodh në ekran gjatë kohës kur mungon dialogu – mund të bëjnë ndryshimin mes një videoje të aksesueshme dhe një videoje që mund të kuptohet vetëm nga disa njerëz.

Aksesi në informacionin cilësor, përveçse është një e drejtë themelore, është gjëja që na lejon të marrim vendime të shëndosha dhe të bazuara në informacionin për gjërat që na prekin dhe kanë rëndësi për ne. dhe aftësia e kufizuar kurrë nuk duhet të bjerë ndesh me ushtrimin e këtyre të drejtave.

Në fund, e gjitha çon drejt një gjëje kaq të thjeshtë siç është të kuptuarit dhe vetëdijësimi: “Normalisht nuk mendohet se një i verbër po lexon një faqe Interneti”, thotë Cortez. Nëse marrim në konsideratë se shumica e personave me dëmtim pamor kërkojnë informacion pikërisht përmes këtij mediumi, problemi merr sot rëndësi më të madhe se kurrë.

Duhet të kuptojmë se nëse duam që këto gjëra të ndryshojnë dhe që aksesueshmëria të kalojë nga koncepti te realiteti, ky ndryshim duhet të nisë me ne. “nëse ne jemi pjesë e ekipeve të programimit, duhet të arrijmë të ngremë shkallën e ndërgjegjësimit dhe të kërkimit”, thotë Montiel dhe shton: “Kurse, nëse s’je pjesë e një ekipi programimi, mund të jesh gjithmonë i vetëdijshëm se cilat janë barrierat, dhe kur i zbulon ato vetë në një produkt të dhënë, mund t’ua bësh të ditur këtë barrierë zhvilluesve të programeve me qëllim që ta ndreqin”.

Veprime kaq të thjeshta sikurse është përshkrimi i imazheve dhe videove, dhe vënia e vetes në vend të të verbërve dhe të vepruarit në përshtatje me rrethanat mund ta sjellin ndryshimin që duam të shohim dhe të arrijmë.

Marrë nga:

https://modelviewculture.com/pieces/in-the-middle-of-a-pandemic-covid-19-information-remains-inaccessible-to-visually-impaired-people?fbclid=IwAR3ecLaOxyvqu2KtJivEVQLhWjSE2-AoxE81174BkzyL3tXNbtKynVWlXxI

 

Pergatiti:

Stefan Paloka