Më datë 27 tetor 2022, në ambientet e “Hotel M” Beograd u zhvillua konferenca rajonale me temë
“Roli i sektorit civil në mbrojtje të shëndetit mendor”.
Konferenca u organizua nga Caritas Serbia, ndërsa pjesëmarrës ishin përfaqësues të Caritas-eve të Italisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, organizatave partnere të rrjetit të Caritas-it anembanë rajonit, organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe autoriteteve publike të të gjitha niveleve.
Synimi i konferencës ishte njohja e ndërsjelltë mes aktorëve social që operojnë në kuadër të shëndetit mendor, shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave lidhur me arritjet dhe sfidat si dhe shqyrtimi i mundësive për krijimin dhe fuqizimin e rrjetit të ofruesve të shërbimeve dhe koalicioneve advokuese të afta për të influencuar në vendimmarrjen publike mbi politikëbërjen dbhe legjislacionin përkatës.
Pas përshëndetjeve të rastit nga autoritetet fetare dhe publike të Republikës së Serbisë, u vijua me fjalën e zëvendësmbrojtëses së qytetarëve të Republikës së Serbisë, znj. Natasha Tanjeviç, e cila theksoi se shëndeti mendor është çështje e të drejtave të njeriut.
U vijua me kumtesën e Prof. Paolo Serras nga Caritas Italiana “Roli i sektorit civil dhe lëvizja e përdoruesve në reformën e sistemit të shëndetit mendor në Itali”.
Më pas, përfaqësuesja e organizatës PIN znj. Irena Stojadinoviç prezantoi rezultatet e studimit të kryer nga kjo organizatë mbi situatën e shëndetit mendor në Serbi.
Përfaqësues të delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse prezantuan situatën e personave me probleme të shëndetit mendor në vendin përkatës, arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore për këto subjekte.
Gjatë punës në grupe u identifikuan problemet madhore për t’u adresuar me qëllim përshpejtimin e procesit të deinstitucionalizimit, si dhe ngritjen aty ku mungojnë dhe përmirësimin e shërbimeve ekzistuese.
Rekomandimet që dolën nga punimet e këtij eventi do t’u bëhen present autoriteteve publike dhe aktorëve social në vendet përkatëse dhe do të shërbejnë si tema për punën lobuese dhe advokuese në të ardhmen.
Ky event u zhvillua në kuadër të projektit SOCIETIES 2 – Mbështetje e organizatave të shoqërisë civile në fuqizimin e shprehive teknike, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe standardet e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, financuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian.