SKIZOFRENIA DHE PSIKOZAT E TJERA MUND TË TRAJTOHEN
Skizofrenia dhe psikozat e tjera janë të trajtueshme. Në shumicën e rasteve, kjo kërkon shumë kohë dhe durim, por ka raste në të cilat simptomat zhduken pas 1-2 episodesh. Është e rëndësishme që terapia të niset në kohë. Vizitat e vonuara te psikiatri për shkak të turpit a frikës mund të pakësojnë mundësinë e shërimit.
PERSONAT ME SKIZOFRENI NUK JANË AS TË RREZIKSHËM, AS TË PAPARASHIKUESHËM
Personat me skizofreni dhe psikoza të tjera mund të jenë të rrezikshëm vetëm nëse nuk trajtohen dhe nëse ndiejnë se janë në rrezik.
ANTIPSIKOTIKËT NUK KRIJOJNË VARËSI
Ilaçet moderne nuk krijojnë varësi, por ndihmojnë në parandalimin e gjendjeve konfuze të mendjes (bindje të çuditshme, dyshim), përvoja të pazakonshme shqisore (halucinacione), ndjesi tensioni dhe paqetësie.
SKIZOFRENIA DHE PSIKOZAT E TJERA NUK JANË ASPAK NGJITËSE
Nëse kalon shumë kohë me një person që vuan nga skizofrenia, nuk mund ta marrësh skizofreninë.
SKIZOFRENIA DHE PSIKOZAT E TJERA NUK JANË SËMUNDJE TË MJEDISIT TË VARFËR
Varfëria nuk është shkaktare e skizofrenisë dhe e psikozave të tjera. Skizofrenia është një çrregullim që mund të prekë gjithkënd.
PERSONAT ME SKIZOFRENI NUK JANË THJESHT PËRTACË
Skizofrenia dhe psikozat e tjera kanë simptoma të ashtuquajtura “positive”, p.sh. mendime apo halucinacione të pazakonta, por edhe simptoma “negative”, si letargji, mungesë interesash dhe apati. Vetë personi kalon kohëra të vështira teksa merret me simptomat negative – më shumë se kushdo tjetër përreth tij, ai person do të donte të kishte më shumë vullnet, iniciativë dhe gëzim.
GJITHKUSH MUND TË BISEDOJË ME NJË PERSON ME SKIZOFRENI
Të gjithë ne mund të bisedojmë me një person me skizofreni. Është interesante të bisedohet me dikë që e sheh jetën në një mënyrë “të re” të ndryshme. Nëse nuk e kuptojmë një gjë të tillë, duhet të themi qartë: “Nuk kuptoj”. Ai nuk do të zemërohet. Ai do të përpiqet të të bindë se ka të drejtë, sikurse bëjmë të gjithë ne.
SKIZOFRENIA VETËM SA PËRKEQËSOHET PËRGJATË JETËS NËSE NUK TRAJTOHET
Ndodh që skizofrenia të përkeqësohet në rast se nuk trajtohet. Trajtimi nuk do të thotë vetëm ilaçe, por edhe jetë sociale (punë, miq, pasione, etj.), si dhe disa detyra, përgjegjësi dhe aktivitet fizik.
FAMILJA NUK ËSHTË FAJTORE PËR SKIZOFRENINË DHE PSIKOZAT E TJERA
Në ditët tona, dihet se familja është ndihmësi më i rëndësishëm nëse e ndihmon personin me skizofreni apo psikoza të tjera për të kërkuar ndihmë, për të marrë trajtimin e duhur dhe për t’u ndier i pranuar dhe i dashur.
MJEKËT NUK JANË TË VETMIT PERSONA QË MUND TË NDIHMOJNË PERSONAT ME SKIZOFRENI DHE PSIKOZA TË TJERA
Secili prej nesh mund të përfaqësojë një copë terapi, por personi me skizofreni do të fyhet nëse njerëzit e tjerë ndiejnë keqardhje për të. Personat që kanë pasur psikoza, si gjithë të tjerët, presin respekt. Është mirë të mos harrohet se nuk po flasim me dikë që nuk kupton asgjë, por me një person të ndjeshëm, me dikë që i interpreton ngjarjet ndryshe dhe që dëshiron të ndihmojë vetveten.
USHQE SHËNDETIN MENDOR, JO PARAGJYKIMET!
MUND T’I NDODHË KUJTDO!