Më datë 19 Janar, ditën e mërkurë, në Hotel Tirana International, salla ”Silver”, u mbajt takimi i dytë i Task Forcës për Advokim për Personat me Aftësi të kufizuara – në kuadër të Projektit “SOCIETIES 2”, financuar nga Bashkimi Evropian, që po zbatohet në Shqipëri nga Caritas-i Shqiptar, në partneritet me Shoqatën “Projekti Shpresa”, Shkodër.
Në takim u zyrtarizua krijimi i Task Forcës për Advokim për Personat me Aftësi të Kufizuara, e përbërë nga pesë organizata jofitimprurëse të shoqërisë civile dhe përfaqësues të dy institucioneve shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet drejtpërdrejt me çështjet e aftësisë së kufizuar, si vijon:
- Caritas Shqiptar, Albania;
- Shoqata “Projekti Shpresa” – Partner;
- Fondacioni “Së bashku”;
- Shoqata “Shpresë për të Verbrit”;
- Shoqata “Ndihmoni jetën”;
- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në punën e saj, Task Forca për Advokim për Personat me Aftësi të Kufizuar do të mbështetet, sipas nevojës dhe tematikave që do të trajtohen, nga Ekspertja Ligjore e përzgjedhur nga stafi i projektit..
Ajo synon riaktivizimin dhe ridimensionimin e Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar, të ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe fuqizimin e veprimtarisë së tij, nëpërmjet garantimit të maksimizimit dhe
diversifikimit të ekspertizës në fushën e aftësisë së kufizuar, në funksion të përmirësimit të frymës së dialogut publik dhe politikave publike përkatëse.
Në punën e vet, kjo strukturë do të bazohet në kornizën ligjore dhe institucionale në fuqi, përkatësisht Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Protokolli Opsional i saj, Rekomandimet e Komitetit të për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me Raportin Fillestar të Qeverisë Shqiptare për Zbatimin e të Drejtave të tyre, legjislacionin në fuqi të shtetit shqiptar, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Aftësinë e Kufizuar 2021-2025.
Task-Forca për Advokim për Personat me Aftësi të Kufizuar do të veprojë për një periudhë 3-vjeçare dhe në këtë hark kohor është programuar të realizojë një maksimum prej 12 takimesh, mesatarisht një takim progres raporti në çdo 3 muaj. Hapi i radhës do të jetë dakortësimi mbi Metodologjinë e Punës dhe Kalendarin e Aktiviteteve, që do të ndërmerren në kuadër të saj për arritjen e objektivave të lartpërmendur.
Informacion mbi sfondin e projektit “SOCIETIES 2”:
Nga muaji prill i vitit 2020, në Ballkanin Perëndimor, me fonde të Bashkimit Evropian, ka nisur zbatimi i projektit “SOCIETIES 2”. Projekti po zbatohet nga një aleancë për përfshirjen sociale e përbërë nga 12 organizata jofitimprurëse, të cilat kanë punuar së bashku në projekte të ndryshme, duke ndarë vlerat, misionin dhe strategjitë e përbashkëta. Projekti është vazhdimësi e “SOCIETIES 1” dhe qëllimi i tij është forcimi i pjesëmarrjes së organizatave jofitimprurëse në dialogun publik me institucionet shtetërore, nëpërmjet ndikimit të tyre në proceset vendimmarrëse, si dhe rritjes së ekspertizës dhe kapaciteteve të tyre në fushën e përfshirjes sociale për personat me aftësi të kufizuara.
Një nga aktivitetet e projektit është ngritja e Task-Forcës për Advokim për Personat me Aftësi të Kufizuara, në të pesë vendet e zbatimit të tij Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, me synim:
- Përmirësimin e pjesëmarrjes së publikut dhe forcimin e rolit të organizatave jofitimprurëse në proceset vendimmarrëse;
- Shkëmbimin e njohurive dhe përvojës ndërmjet organizatave jofitimprurëse dhe institucionevenë praktikat dhe politikat e përfshirjes sociale;
- Përmirësimin e komunikimit ndërmjet organizatave jofitimprurëse dhe institucioneve me qëllim rritjen e cilësisë së jetesës të personave me aftësi të kufizuara;
- Krijimin ose forcimin – aty ku ato tashmë ekzistojnë – e mekanizmave për një dialog të përhershëm social ndërmjet organizatave jofitimprurëse dhe institucioneve publike përmes krijimit të një praktike të mirë, që më pas të zbatohet nga institucionet shtetërore.
- Aktivizimin e mekanizmave të duhur mbështetës financiarë për organizatat jofitimprurëse, tëaftë për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të rritur qëndrueshmërinë e organizatave jofitimprurëse që punojnë me personat me aftësi të kufizuara.