TAKIM I NDËRMJETËM NË KUADËR TË PROJEKTIT ACTIVE
Në kuadër të projektit ACTIVE – Accessible Communication Toward Inclusion of Vulnerable and Excluded persons on Western Balkans, më 30 dhe 31 maj, Caritas Serbia organizoi një workshop me qëllim përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, gjatë javës së fundit të majit, në Beograd u mblodhën përfaqësues të Caritas-it nga Austria, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia. Workshopi u drejtua nga Sigried Spindlbeck nga Caritas Austria dhe Jelena Ankić, koordinatore rajonale e projektit në Caritas Serbi.
Gjatë dy ditëve të punës, pjesëmarrësit në takim patën mundësinë të analizojnë aktivitetet e realizuara në vitin e parë të zbatimit të projektit, të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojën e fituar mbi komunikimin e aksesueshëm, por edhe të analizojne sfidat që hasen për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në Ballkan.
Pjesa më e rëndësishme e vitit të parë të projektit ka qenë e fokusuar mbi zhvillimin e ciklit të Moduleve të trajnimit të ekspertëve për komunikim të aksesueshëm dhe gjuhë të thjeshtë. Nga qershori 2022, përmes pesë moduleve të trajnimit, ekspertë nga Austria, Sllovenia, Gjermania, Bjellorusia dhe Hungaria kanë dhënë njohuritë e tyre mbi këtë temë tek pjesëmarrësit e trajnimit.
Gjatë periudhës së ardhshme, të gjithë partnerët e projektit do të organizojnë një sërë workshopesh në vendet e tyre me përfshirjen e disa aktorëve kryesorë, si: përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve dhe pushtetit vendor mbi temën e komunikimit të aksesueshëm dhe gjuhës së lehtë.
Projekti “ACTIVE – Komunikimi i aksesueshëm – me qëllim përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël në Ballkanin Perëndimor” është duke u zbatuar deri në maj 2023 dhe është mbështetur nga Renovabis dhe Caritas Austria. Qëllimi i tij është të zhvillojë konceptin e komunikimit gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor përmes fuqizimit dhe integrimit të personave në një situate të pafavorshme sociale.