EKSPERT PËR ORGANIZIMIN E TRYEZAVE TË DISKUTIMIT NË SHKODËR E KUKËS

 

Shoqata: Caritas Shqiptar

Titulli Projektit: “Fuqizimi i strukturave shtetërore në mbrojtje të fëmijëve Shqiptarë që shfrytëzohen për punë në vendet fqinjë”

Afati për aplikim: 24.04.2018

Lloji i punës: Ekspert

Kohëzgjatja e detyrës:  1 Maj – 30 Shtator 2018

 

Hyrje

Caritas Shqiptar është një shoqatë humanitare që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më të varfër dhe më në nevojë në Shqipëri. U themelua në vitin 1993 nga Konferenca Ipeshkvnore e Kishës Katolike dhe u njoh nga shteti Shqiptar si një organizatë bamirëse e Kishës Katolike Shqiptare. Që nga viti 1994, Caritas-i Shqiptar është anëtar i Caritas Internacionalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë për grupet në nevojë.

Gjatë 23 viteve të fundit Caritas Shqiptar ka zbatuar projekte mbi anti trafikimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe grave në situatë rreziku, fuqizimin e strukturave që punojnë me çështje të mbrojtjes së grupeve në nevojë financuar nga Qeveria Amerikanë, Angleze, Franceze, Caritas Amerikan, Caritas France, UNHCR etj.

Caritas Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Anti Trafik dhe financimin e Qeverisë Franceze dhe CRS do të zbatojnë një projekt një vjeçar me titull “Fuqizimi i strukturave shtetërore në mbrojtje të fëmijëve Shqiptarë që shfrytëzohen për punë në vendet fqinjë” me qëllim përmirësimin e identifikimit, referimit dhe mbrojtjes së fëmijëve shqiptarë të shfrytëzuar për punë në Mal të Zi dhe Kosovë.

Caritas Shqiptar kërkon të punësojë një ekspert/e për të hartuar një vlerësim cilësor dhe sasior mbi situatën e fëmijëve që shfrytëzohen për punë në vendet fqinje, bazuar dhe në indikatorët e paraqitur në planin e veprimit të projektit. Eksperti do të përgatisë një raport ku të analizojë të dhënat e mbledhura dhe ofrojë rekomandime për përmirësimin e situatës.

 

Përshkrim i Projektit

Projekti “Fuqizimi i strukturave shtetërore në mbrojtje të fëmijëve Shqiptarë që shfrytëzohen për punë në vendet fqinjë” është në një linjë me “Protokollet shtesë për intensifikimin e veprimeve për identifikimin, referimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, veçanërisht fëmijët”, të nënshkruara nga Koordinatorët Kombëtarë të Kosovës (2012) dhe Malit të Zi (2014) si dhe me procedurat e unifikuara në dhjetor 2016.

Caritas Shqiptar do të organizojë 6 tryeza diskutimi midis palëve Shqipëri – Kosovë dhe Shqipëri – Mal i Zi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga policia e kufirit dhe institucionet lokale që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Këto tryeza do të shërbejnë për të analizuar hapat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Projekti do të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve kyç të përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal dhe do të rrisë kapacitetet e personelit ligjzbatues në identifikimin dhe referimin e fëmijëve shqiptarë që shfrytëzohen për punë në vendet fqinje.

Për këtë arsye Caritas Shqiptar kërkon një ekspert/e I cili/e cila do të lehtësojë organizimin e këtyre tryezave.

 

Shtrirja gjeografike e detyrës

Tryezat do të organizohen në Kukës dhe Shkodër.

 

Qëllimi i tryezave

  • Tryezat do të shërbejnë për të identifikuar problemet ekzistuese në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve që shfrytëzohen për punë në vendet fqinje,
  • Ofrojnë rekomandime për përmirësimin e situatës
  • Përgatisin një plan veprimi të përbashkët për parandalimin e fenomenit dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar në sistemin e mbrojtjes.
  • Përcaktojë konkretisht etapat e ndërhyrjeve bazuar në situatën aktuale në vendet ku do të zbatohet projekti.

 

Përgjegjësitë e ekspertit/es

Personi i përzgjedhur do jetë përgjegjës për lehtësimin e të gjithë tryezave.

Disa nga përgjegjësitë përfshijnë:

  • Hartimi i axhendës së tryezave në përputhje me objektivat e paracaktuar.
  • Lehtësojë dhe përgatisë materialet që nevojiten për pjesëmarrësit, grupet e diskutimit etj.
  • Promovojë pjesemarrjen maksimale të ekspertëve në diskutime.
  • Mbështesë pjesëmarrësit dhe maksimizojë angazhimin e tyre aktiv në grupet e diskutimit, ngritjen e çështjeve, dhënien e rekomandimeve dhe nxjerrjen e konkluzioneve.
  • Të hartojë raportet përmbledhesë të tryezave.

 

Kriteret për aplikantët

  • Diplomë Universitare në shkenca sociale (Master apo PhD do të ishte një vlerë e shtuar);
  • Së paku 3 vjet përvojë në fushën e kërkuar;
  • Njohuri shumë të mira të gjuhës Angleze;
  • Njohuri mbi situatën e shfrytëzimit të fëmijëve për punë në Shqipëri;
  • Aftësi shumë të mira analitike dhe krijuese;
  • Aftësi shumë të mira komunikimi dhe për të hartuar koncepte shumë qartë dhe saktë në shkrim dhe me gojë.

 

Dokumentacioni i nevojitur për aplikim

  • CV e personit/personave që aplikojnë
  • 2 kontakte referencash
  • Një kërkesë
  • Oferta financiare (Eksperti duhet të ketë parasysh ditët e punës së nevojitura për kryerjen e tryezave apo përgatitjen e raporteve). Gjithsej do të organizohen 6 tryeza, 3 në secilin qark.

 

Afati për aplikim

Dokumentat e nevojitura duhet të dërgohen në adresën e mëposhtme brenda datës 24 prill 2018, ora 16:00 dorazi në adresën: Rruga Don Bosko; Nr. 4 Tiranë; Tel: + 355 4 22 30088; Fax: + 355 4 22 34327 ose me email: caritasalbania@caritasalbania.org