THIRRJE PËR APLIKIME PËR NJOHJEN E INICIATIVAVE TË MIRA NË KOMUNIKIMIN E AKSESUESHËM

Caritas Shqiptar fton shoqatat dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri të paraqesin iniciativa të realizuara gjatë vitit 2025, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e komunikimit të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe grupet e tjera që përballen me barriera në marrjen dhe kuptimin e informacionit.

Me termin “iniciativë” nënkuptohet çdo projekt, program, aktivitet, material informues, publikim, fushatë, zgjidhje digjitale, trajnim ose formë tjetër komunikimi me publikun që synon ta bëjë informacionin më të qartë, të kuptueshëm dhe të aksesueshëm për të gjithë.

Kjo njohje synon të promovojë praktikat gjithëpërfshirëse të organizatave të shoqërisë civile dhe të evidentojë zgjidhje inovative që përmirësojnë mënyrën e komunikimit me personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet e tjera. Gjithashtu, synon të nxisë shkëmbimin e praktikave të mira dhe përhapjen e standardeve të komunikimit të aksesueshëm në sektorin social dhe më gjerë.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Në thirrje mund të aplikojnë:

  • shoqata dhe organizata të shoqërisë civile të regjistruara në Shqipëri;
  • organizata që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirjes sociale, aftësisë së kufizuar, edukimit, kulturës, komunitetit ose shërbimeve sociale.

Iniciativat e paraqitura duhet të jenë realizuar gjatë periudhës:

1 janar – 31 dhjetor 2025.

CILAT INICIATIVA MUND TË PARAQITEN?

Mund të aplikohen iniciativa që kontribuojnë në komunikimin e aksesueshëm, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:

  • materiale informuese në format të aksesueshëm;
  • publikime dhe udhëzues të thjeshtuar;
  • përdorimin e gjuhës së lehtë dhe të kuptueshme (Easy-to-Read);
  • fushata ndërgjegjësimi dhe komunikimi gjithëpërfshirës;
  • faqe interneti, platforma ose mjete digjitale të përshtatura;
  • programe edukative, trajnime dhe aktivitete komunitare;
  • iniciativa që përfshijnë përdoruesit në hartimin ose testimin e materialeve të komunikimit.

Një organizatë mund të paraqesë më shumë se një iniciativë, por secila iniciativë duhet të dorëzohet përmes një aplikimi të veçantë.

Shënim: Kjo njohje fokusohet në aksesueshmërinë e komunikimit dhe informacionit. Ndryshimet vetëm në aksesueshmërinë fizike të ambienteve (si rampa, ashensorë apo përshtatje infrastrukturore) nuk janë objekt i këtij vlerësimi.

KRITERET E VLERËSIMIT

Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision ekspertësh me përvojë në fushën e komunikimit të aksesueshëm dhe përfshirjes sociale.

Iniciativat do të vlerësohen sipas këtyre kritereve:

  • Aksesueshmëria e komunikimit – sa efektivisht iniciativa siguron informacion të kuptueshëm dhe të arritshëm për grupe të ndryshme;
  • Inovacioni i zgjidhjes – përdorimi i qasjeve ose mjeteve të reja;
  • Përfshirja e përdoruesve – angazhimi i personave me aftësi të kufizuara ose grupeve përfituese në zhvillimin dhe testimin e iniciativës;
  • Qëndrueshmëria dhe mundësia e zbatimit në organizata të tjera.

MËNYRA E APLIKIMIT

Aplikimi bëhet përmes formularit zyrtar, i cili përfshin:

  • të dhënat bazë të organizatës;
  • përshkrimin e iniciativës;
  • mënyrat dhe mjetet e komunikimit të aksesueshëm të përdorura;
  • informacion mbi përfshirjen e përdoruesve;
  • rezultatet e arritura dhe ndikimin e iniciativës.

Së bashku me formularin duhet të dërgohen edhe materiale mbështetëse, si fotografi, publikime, lidhje online dhe dokumentacion tjetër përkatës.

Formularin e aplikimit mund ta shkarkoni duke klikuar në këtë link.

Formulari dhe dokumentacioni shoqërues duhet të dërgohen elektronikisht në adresën:

caritasalbania@caritasalbania.org

AFATI PËR APLIKIM

Afati për dorëzimin e aplikimeve është:

15.08.2026

Aplikimet e paplota ose të dorëzuara pas afatit nuk do të shqyrtohen.

PËRZGJEDHJA E FITUESIT DHE PUBLIKIMI I REZULTATEVE

Komisioni do të vlerësojë aplikimet dhe do të përzgjedhë iniciativën fituese bazuar në pikët e grumbulluara sipas kritereve të përcaktuara.

Rezultatet do të publikohen në kanalet zyrtare të Caritas Shqiptar.

Iniciativa e përzgjedhur do të prezantohet publikisht si një shembull i praktikës së mirë në fushën e komunikimit të aksesueshëm.

ÇMIMI

Iniciativa fituese do të pajiset me një vlerësim simbolik dhe një mbështetje financiare në shumën: 2,500.00 euro

Mbështetja financiare do të përdoret për zhvillimin ose përmirësimin e mëtejshëm të zgjidhjeve, materialeve ose programeve që promovojnë komunikimin e aksesueshëm dhe gjithëpërfshirës.

INFORMACIONE SHTESË

Për pyetje ose informacion shtesë mund të kontaktoni:

j.luka@caritasalbania.org