Tiranë me 03/11/2023
Thirrje për pjesëmarrje në tender – Blerje elektroshtepiake
Të nderuar Z./Znj.
Caritas Shqiptar është një Organizatë humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më në nevojë në Shqipëri.
Që nga viti 1994, Caritas Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i Organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë. Caritas Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cënueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara. Caritas Shqiptar në kuadër të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë ofron shërbime dhe asistencë pa dallime fetare, etnike apo raciale.
Caritas Shqiptar funksionon në bazë të programeve: Programi Social, Programi Anti-Trafikimit dhe Migracionit, si dhe Programi Ekonomia Sociale dhe Aftësia e Kufizuar, duke bashkëpunuar me rrjetin unik të Enteve të Kishës Katolike në Shqipëri, si psh: Dioqezat, Famullitë, Bashkësitë Rregulltare, etj. Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e Dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas-it Kombëtar: Caritas Tiranë-Durrës, Caritas Shkodër-Pult, Caritas Sapa, Caritas Lezha, Caritas Rrëshen dhe Caritas Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë.
Misioni
Ne besojmë në vlerën e dinjitetin e jetës njerëzore. Ne ndihmojmë duke u bazuar në vlerat shpirtërore dhe humanitare. Besojmë që çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime që kanë ndikim në jetën e tyre. Ne besojmë se respekti për të drejtat e njeriut do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm.
Parimet dhe Vlerat
- Respektimi i të drejtave të njeriut
- Respektimi i dinjitetit njerëzor
- Respektimi kulturës dhe diversitetit
- Të njejtë dhe të barabartë
- Solidaritet
- Përfshirja e vullnetarëve
- Paqja
- Drejtësia Sociale
Autoriteti Kontraktues: Caritas Shqiptar
Objekti i Tenderit: “Blerje elektroshtëpiake”
Nr. i Referencës: ITB-EL-SO-23
Lloji i Procedurës: Ftesë për ofertë
Data e njoftimit të tenderit: 03/11/2023
Data e mbylljes së njoftimit: 20/11/2023; Ora: 13:00
Dokumentacioni i përgatitur në: Gjuhën Shqipe
Fondi në dispozicion: 3,000,000.00 (tre milion) Lekë me TVSH
Në kuadër të projektit “Lehtësimi dhe rimëkëmbja për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri”, kërkohet pajisja me elektroshtëpiake të disa familjeve, të prekura nga tërmeti në zonën Durrës dhe Tiranë.
Për të përzgjedhur subjektin që do na ofrojë këtë shërbim, Caritas Shqiptar ka hapur një procedurë tenderimi dhe fton të gjitha subjektet e interesuara dhe që plotësojnë kërkesat, të paraqesin ofertat e tyre brenda datës 20.11.2023, ora 13:00, pranë zyrave të Caritas Shqiptar.
Lista e produkteve që kërkohen do të jenë bashkëngjitur kësaj thirrje, sëbashku me specifikimet përkatëse për secilin produkt. KLIKONI KETU për të shkarkuar listën e plotë.
MËNYRA E PJESËMARRJES NË TENDER
Hartimi i ofertës
Hartimi i ofertës financiare do të bëhet me sistemin e dy zarfave.
- Në zarfin e parë, me mbishkrim Specifikimet Teknike, do të paraqiten dokumentat e mëposhtme:
- Ekstrakt historik i subjektit;
- Çertifikatë produkti ose dokument tjetër i barasvlefshëm, që pasqyron specifikat teknike të produktit të ofruar;
- Në zarfin e dytë, me mbishkrim Oferta Financiare, do të paraqiten dokumentat e mëposhtme:
- Formulari i ofertës financiare (SHKARKO DOKUMENTIN);
Subjektet pjesëmarrëse duhet të dorëzojnë dorazi, ofertën origjinale të futur në zarf jotransparent, të mbyllur, të vulosur dhe firmosur, me emrin dhe adresën e ofertuesit dhe të shënuar:
“Ofertë për blerje elektroshtëpiake”
Caritas Shqiptar
Adresa: Rruga “Don Bosko”, Nr. 4 Tiranë; Tel: + 355 4 22 30088; Fax: + 355 4 22 34327
Çdo ofertë e marrë pas datës së mbylljes së tenderit nuk do të pranohet.
Caritas Shqiptar mundet, në diskrecionin e tij, të zgjasë afatin kohor për dorëzimin e ofertave, duke njoftuar të gjitha subjektet/individët nëpërmjet njoftimit publik për shtyrje afati.
Të gjitha çmimet duhet të kuotohen në Monedhën Shqiptare (Lekë), duke përfshirë edhe tatimet që zbatohen, por duke specifikuar nëse përfshihet TVSH ose jo.
Për çdo paqartësi ose informacion më të detajuar mund të kontaktoni në adresën e email: caritasalbania@caritasalbania.org / e.gripshi@caritasalbania.org.
KRITERET E PËRZGJEDHJES
Kriteret e përgjithshme të pranimit/kualifikimit
Ofertuesi mund të kualifikohet për fazën e vlerësimit të ofertës financiare, nëse plotëson kushtet e mëposhtme:
- Të jetë i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe në objektin e veprimtarisë të ketë të përfshirë edhe objektin që kërkohet të prokurohet nga kjo procedurë.
- Të dorëzoje çertifikatë produkti për secilin produkt të kërkuar.
Në çdo rast, Autoriteti Kontraktor ka të drejtë të kryejë verifikimet e nevojshme mbi vërtetësinë e informacionit të deklaruar nga kompania si më sipër.
Ofertat të cilat nuk janë të shoqëruara me dokumentacionin e mësipërm do të skualifikohen.
Formula e vlerësimit
Fillimisht, Komisioni i Vlerësimit Teknik do të bëje vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur në zarfin me mbishkrim Specfikime Teknike, dhe për të gjitha subjektet që kalojnë këtë fazë, do të bëhet vlerësimi i ofertës financiare nga Komisioni Kontraktues.
Oferta fituese do të zgjidhet në bazë të çmimit më të ulet, duke plotësuar specifikimet teknike.