Tiranë me 06/07/2022
OBJEKT: Thirrje për pjesëmarrje në tender
Të nderuar Z./Znj.
Caritas Shqiptar është një organizatë humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më në nevojë në Shqipëri.
Që nga viti 1994, Caritas Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë.
Caritas Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cënueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara. Caritas Shqiptar në kuadër të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë ofron shërbime dhe asistencë pa dallime fetare, etnike apo raciale.
Caritas Shqiptar funksionon në bazë të programeve: Programi Social, Programi Shëndetësor, Programi Anti-Trafikimit dhe Migracinit, Programi i Mbledhjes së Fondeve, Programi i Emergjencave dhe Programi i Shërbimeve Doganore, duke përdorur rrjetin unik të famullive, Kishave Katolike Shqiptare dhe komuniteteve fetare.
Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e Dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas Shqiptar dhe ata janë: Caritas Tiranë-Durrës, Caritas Shkodër-Pult, Caritas Sapa, Caritas Lezha, Caritas Rrëshen dhe Caritas Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë.
Misioni
Ne besojmë në vlerën e dinjitetin e jetës njerëzore. Ne ndihmojmë duke u bazuar në vlerat shpirtërore dhe humanitare. Besojmë që çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime që kanë ndikim në jetën e tyre. Ne besojmë se respekti për të drejtat e njeriut do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm.
Parimet dhe Vlerat
• Respektimi i të drejtave të njeriut • Respektimi i dinjitetit njerëzor
• Respektimi kulturës dhe diversitetit • Paqja
• Drejtësia Sociale • Të njëjtë dhe të barabartë
• Solidaritet • Përfshirja e vullnetarëve
Autoritet Prokurues: Caritas Shqiptar
Objekti i Tenderit: “Blerje veshmbathje”
Nr. i Referencës: ITB-01-AT-22
Lloji i Procedurës: Ftesë për ofertë (ITB)
Data e Njoftimit të tenderit: 06/07/2022
Data e mbylljes së njoftimit: 20/07/2022 Ora: 16:00
Kohëzgjatja e kontratës: 1 (një) vit
Caritas Shqiptar, në kuadër të projektit me titull “Border Monitoring and Support Provision to Asylum-Seeker and Syrian arriving in Albania” me donator UNHCR Albania, kërkon kontraktimin e një subjekti për blerjen e veshmbathjeve për gjatë një viti. Blerjet për këtë projekt do të bëhen në varësi të fluksit të lëvizjeve të emigrantëve e cila rrjedhimisht ndikon edhe në sasinë e blerjeve për njësi. Për realizimin e këtij shërbimi, Caritas Shqiptar fton të gjitha kompanitë që kanë si objekt veprimtarie shërbimin e kërkuar që të paraqesin interesin e tyre para datës 20/07/2022, duke paraqitur ofertat finaciare dhe dokumentat plotësuese të mbyllura në zarf si dhe modelet e produkteve të kërkuara.
MËNYRA E PJESËMARRJES NË TENDER
Hartimi i ofertës
Në zarfin e ofertës do të përfshihen dokumentat si mëposhtë:
- Ekstrakt historik i subjektit (I shkarkuar/tërhequr tre muajt e fundit).
- Formulari i Ofertës, plotësuar sipas Aneks RFQ (Kliko për të shkarkuar dokumentin).
- Paraqitja e modeleve të produkteve të kërkuara.
Subjektet duhet të dorëzojnë dorazi, vetëm ofertën origjinale të futur në një zarf jotransparent, të mbyllur, të vulosur dhe firmosur me emrin dhe adresën e ofertuesit, dhe të shënuar:
“Ofertë për Blerje veshmbathje; ITB-01-AT-22”
Caritas Shqiptar
Adresa: Rruga “Don Bosko”, Nr. 4 Tiranë; Tel: + 355 4 22 30088; Fax: + 355 4 22 34327
Çdo ofertë e marrë pas datës së mbylljes së tenderit nuk do të pranohet.
Caritas Shqiptar mund të zgjasë afatin kohor për dorëzimin e ofertave, duke njoftuar me shkrim të gjitha kompanitë pjesëmarrëse ose duke bërë publik njoftimin për shtyrje afati.
Të gjitha çmimet duhet të kuotohen në Monedhën Shqiptare (Lek), duke përfshirë edhe tatimet që zbatohen, por duke specifikuar nëse përfshihet TVSH ose jo.
Gjithë dokumentacioni i ofertës duhet të përgatitet në gjuhën Shqipe.
Çdo gabim në formulimin e ofertës do të shqyrtohet nga komisioni dhe nëse vlerësohet si e nevojshme do të kontaktohet subjekti për sqarime të mëtejshme.
Për çdo paqartësi në plotësimin e ofertës mund të kontaktoni në: caritasalbania@caritasalbania.org ose a.leka@caritasalbania.org
KRITERET E PËRZGJEDHJES
Kushtet e Përgjithshme Të Pranimit/Kualifikimit
Ofertuesi duhet:
- Të jetë i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e prokurimit;
- Të paraqesë mostrat e produkteve të kërkuara.
Formula e vlerësimit
Komisioni i vlerësimit do të analizojë së pari modelet e dërguara dhe do të vlerësojë nëse kompania është e përshtatshme në lidhje me kërkesat e paraqitura nga Caritas Shqiptar.
Për të gjithë ofruesit që do të kalojnë vlerësimin teknik, do të shikohen ofertat financiare.
Oferta fituese do të zgjidhet mbi kriterin e çmimit më të mirë. Ofertat të cilat nuk janë të plotësuara me dokumentacionin përkatës ose nuk paraqesin modelet e kërkuara, do të skualifikohen.