Shkarkoni dokumentacionin e plotë:
Aneks D Aneks RFQ Menu Propozim Oferte RFP-09-AT-20 Termat e Referencës
Tiranë me 23/04/2020
OBJEKT: Thirrje për pjesëmarrje në tender.
Të nderuar Z./Znj.
Caritas-i Shqiptar është një organizatë humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më në nevojë në Shqipëri.
Që nga viti 1994, Caritas Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë.
Caritas Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cënueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara. Caritas-i Shqiptar në kuadër të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë ofron shërbime dhe asistencë pa dallime fetare, etnike apo raciale.
Caritas Shqiptar funksionon në bazë të programeve: Programi Social, Programi Shëndetësor, Programi Anti-Trafikimit dhe Migracinit, Programi i Mbledhjes së Fondeve, Programi i Emergjencave dhe Programi i Shërbimeve Doganore. Duke përdorur rrjetin unik të famullive, kishave katolike shqiptare dhe komuniteteve fetare.
Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e Dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas-it Kombëtar: Caritas Tiranë-Durrës, Caritas Shkodër-Pult, Caritas Sapa, Caritas Lezha, Caritas Rrëshen dhe Caritas Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë.
Misioni
Ne besojmë në vlerën e dinjitetin e jetës njerëzore. Ne ndihmojmë duke u bazuar në vlerat shpirtërore dhe humanitare. Besojmë që çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime që kanë ndikim në jetën e tyre. Ne besojmë se respekti për të drejtat e njeriut do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm.
Parimet dhe Vlerat
- Respektimi i të drejtave të njeriut
- Drejtësia sociale
- Respektimi i dinjitetit njerëzor
- Paqja
- Përfshirja e vullnetarëve
- Respektimi i kulturës dhe diversitetit
- Të njëjtë dhe të barabartë
- Solidaritet
Autoritet Prokurues: Caritas Shqiptar
Objekti i Tenderit: Ushqim i ngrohtë, Shkodër
Nr. i Referencës: RFP-09-AT-20
Lloji i Procedurës: Kërkesë për propozim (RFP)
Data e Njoftimit të tenderit: 23/04/2020
Data e mbylljes së njoftimit: 21/05/2020 Ora: 12:00
Kohëzgjatja e kontratës: 1 (një) vit
CARITAS SHQIPTAR KËRKON:
Të ofrojë shërbimin e ushqimit të ngrohtë për refugjatët dhe azilkërkuesit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Shkodër. Për të realizuar këtë shërbim, ftohen të gjitha kompanitë që kanë si objekt veprimtarie aktivitetin e kërkuar, të paraqesin interesin e tyre para datës 21/05/2019, duke dorëzuar ofertën finaciare dhe dokumentat plotësues të mbyllura në zarf.
MËNYRA E PJESËMARRJES NË TENDER
Hartimi i ofertës
Hartimi i ofertës do të bëhet në sistemin e dy zarfave.
- Në zarfin e parë me mbishkrim “Specifikimet Teknike” do të përfshihen dokumentat si mëposhtë:
- Ekstrakt historik i subjektit
- Vërtetimet e kërkuara në Aneks D
- Formulari i plotësuar sipas formatit Propozim Oferte
- Në zarfin e dytë me mbishkrim “Oferta Financiare” do të përfshihën dokumentat si mëposhtë:
- Formulari i Ofertës, plotësuar sipas Aneks RFQ. (Bashkëngjitur kësaj thirrje do gjeni edhe menunë për secilin vakt ku duhet të referoheni për plotësimin e ofertës financiare).
Subjektet duhet të dorëzojnë dorazi, vetëm ofertën origjinale të futur në një zarf jotransparent, të mbyllur, të vulosur dhe firmosur me emrin dhe adresën e ofertuesit dhe të shënuar:
“Ofertë për Ushqim i ngrohtë, Shkodër; RFP-09-AT-20”
Caritas Shqiptar
Adresa: Rruga “Don Bosko”, Nr. 4 Tiranë; Tel: + 355 4 22 30088; Fax: + 355 4 22 34327
Çdo ofertë e marrë pas datës së mbylljes së tenderit nuk do të pranohet. Caritas Shqiptar mundet të zgjasë afatin kohor për dorëzimin e ofertave, duke njoftuar me shkrim të gjitha kompanitë pjesëmarrëse ose duke bërë publik njoftimin për shtyrje afati.
Të gjitha çmimet duhet të kuotohen në Monedhën Shqiptare (Lekë), duke përfshirë edhe tatimet që zbatohen, por duke specifikuar nëse përfshihet TVSH ose jo.
Gjithë dokumentacioni i ofertës duhet të përgatitet në gjuhën shqipe.
Çdo gabim në formulimin e ofertës do të shqyrtohet nga komisionet dhe nëse vlerësohet si e nevojshme do kontaktohet subjekti për sqarime të mëtejshme.
Për çdo paqartësi në plotësimin e ofertës mund të kontaktoni në caritasalbania@caritasalbania.org ose a.leka@caritasalbania.org
KRITERET E PËRZGJEDHJES
Kriteret/Formula e vlërsimit
Komisioni i vlerësimit do të analizojë së pari dokumentacionin përkatës dhe do të vlerësojë nëse kompania është e përshtatshme në lidhje me kërkesat e paraqitura nga Caritas Shqiptar. Për të gjithë ofruesit që do të kalojnë vlerësimin e dokumentacioneve të specifikimeve teknike do të shikohen ofertat financiare.
Oferta fituese do të zgjidhet mbi kriterin e Ofertës Ekonomike më të favorshme. Ofertat të cilat nuk janë të plotësuara me dokumentacionin përkatës mund të skualifikohen për mungesë dokumentacioni.
Formula e vlerësimit të Ofertës më Ekonomike (Oe) do të jetë si mëposhtë:
Oe = P + S + T
Ku:
- P = Çmimi x 40%
- S = Transporti në ambjentet e kërkuara x 40%
- T = Koha për dorëzimin e mallit x 20%
Kriteri i Vlerësimit |
Pikët |
Koha për dorëzimin e mallit: | |
1. 0-1 Orë |
10 Pikë |
2. 1-3 Orë |
6 Pikë |
3. 3+ Orë |
2 Pikë |
Transporti në ambjentet e kërkuara: | |
1. Po |
10 Pikë |
2. Jo |
0 Pikë |
Kriteri i çmimit do të vlerësohet sipas çmimit më të ulët dhe renditja do të bëhet me një diferencë prej 2 (dy) pikësh përkatësisht si mëposhtë:
Oferta më e ulët (Vendi i parë) |
10 Pikë |
Oferta e dytë më e ulët (Vendi i dytë) |
8 Pikë |
Oferta e tretë më e ulët (Vendi i tretë) |
6 Pikë |
Oferta e katërt më e ulët (Vendi i katërt) |
4 Pikë |
Oferta e pestë më e ulët (Vendi i pestë) |
2 Pikë |
Nga vendi i gjashtë e në vazhdim, oferta financiare do të ketë vlerën e 1 (një) pikë.