Gjatë javës së parë të muajit mars, përfaqësuesja e Caritas Austria, Znj. Vera Moll, realizoi një vizitë monitorimi në Shqipëri, ku kishte mundësinë të vizitonte disa realitete të rëndësishme të Caritas Shqiptar që mbështeten financiarisht nga Caritas Austria.

Në agjendën e Znj. Moll, një vëmendje e veçantë iu kushtua programit YourJob, një iniciativë që ofron mundësi punësimi për të rinjtë në Shqipëri. Znj. Moll realizoi disa vizita në terren, kryesisht në ato grante që tashmë kanë filluar të funksionojnë. Ajo vizitoi “Lavanderi Matilda”, një ndërmarrje që ofron shërbime lavanderie, një dyqan me rroba “Kigo Store” dhe një Qendër Estetik. Këto projekte janë pjesë e programit YourJob, i cili synon të krijojë mundësi të qëndrueshme pune dhe aftësim për të rinjtë që përfshihen në to.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës së Znj. Moll ishte takimi me Drejtoreshën Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive Shkodër, Znj. Rozafa Zmijanej. Ky takim u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë që Caritas Shqiptar ka me këtë zyrë përmes programit YourJob. Ata diskutuan për mundësitë që ky program ofron për të rinjtë në Shkodër dhe si mund të vazhdohet kjo sinergji ndermjet dy institucioneve edhe ne atrdhmen. Po ashtu, Znj. Moll pati mundësinë të takohej me një të ri me aftësi të kufizuara, i cili kishte kaluar një periudhë internshipi dhe tani ishte punësuar në një organizatë në Shkodër, një shembull i suksesshëm i programit.

Vizitat në Shkodër vazhduan me një takim të rëndësishëm me Drejtoreshën e Shërbimeve Sociale të Bashkisë Shkodër dhe Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijës. Diskutimi u përqendrua te situata e të miturve të huaj të pashoqëruar, si pjesë e grupeve mikse migratore, si dhe te shërbimet e ofruara, detyrimet ligjore dhe sfidat në trajtimin e tyre. Bashkia e Shkodrës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Caritas Shqiptar dhe Caritas Austria, duke vlerësuar angazhimin në ofrimin e një ambienti të përshtatshëm dhe asistencës së nevojshme për të miturit e huaj të pashoqëruar, ndërkohë që nuk ekziston një qendër kombëtare apo strukturë tjetër e dedikuar për këtë qëllim.

Znj. Moll vizitoi “Fshatin e Paqes”, një ambient pritjeje për migrantët dhe refugjatët që hyjnë në Shqipëri përmes pikave kufitare dhe identifikohen nga Policia e Kufirit dhe Migracionit në Shkodër, si dhe për të miturit e huaj të pashoqëruar të identifikuar në nivel kombëtar. Në këtë strukturë, Caritas Shqiptar ofron akomodim të përkohshëm dhe asistencë, përfshirë ushqim, veshmbathje dhe kushte higjienike, për migrantët dhe refugjatët deri në përfundimin e procedurave të përzgjedhjes, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe mbështetje për ata grupe vulnerabël që kanë përballuar udhëtime të gjata dhe të rrezikshme për një jetë më të mirë dhe të sigurt.

Një tjetër moment i rëndësishëm ishte takimi me Drejtoreshën e Caritas Shqiptar, Znj. Juljana Reso, ku u diskutua për projektet e përbashkëta dhe mundësitë e reja për bashkëpunim mes Caritas Austria dhe Caritas Shqiptar. Gjatë këtij takimi, Znj. Moll u njoh me zhvillimet më të fundit dhe sfidat që ka përballë organizata në përpjekjet e saj për të ofruar shërbime dhe mundësi për individët në nevojë.

Vizita e Znj. Moll në Shqipëri përfshiu gjithashtu një vizitë në Qendrën Ditore Bubq të Caritas Shqiptar, ku ajo u njoh me shërbimet që ofrohen atje dhe me përfituesit që marrin mbështetje nga kjo qendër. Takimi ishte një mundësi për të kuptuar më mirë se si Caritas Shqiptar mbështet individët dhe komunitetet në nevojë përmes shërbimeve të ndryshme sociale dhe edukative.

Një tjetër takim i rëndësishëm u zhvillua me Z. David Muckenhuber, drejtuesi i Agjencise Austriake për Zhvillim në Shqipëri duke u vijuar me një takim po aq të rëndësishëm gjithashtu me Z. Sebastien Carreau përfaqësues i Agjencisë Franceze për Zhvillim. Diskutimet që u zhvilluan në dy Agjencitë respektive për mundësitë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta janë një hap i rëndësishëm drejt avancimit të iniciativave që mund të sjellin ndryshime pozitive dhe mundësi për ata që kanë nevojë më shumë për mbështetje.

Në Tiranë, Znj. Moll vizitoi disa biznese ku të rinjtë që janë pjesë e programit YourJob Renovabis po zhvillojnë praktikat e punës. Kjo ishte një mundësi për të parë nga afër ndikimin e këtij programi dhe për të diskutuar për mundësitë e mëtejshme të zhvillimit dhe zgjerimit të tij.

Vizita e Znj. Vera Moll në Shqipëri ishte një mundësi e shkëlqyer për të rritur ndërveprimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes Caritas Austria dhe Caritas Shqiptar, si dhe për të eksploruar mundësitë për të ofruar më shumë mundësi dhe shërbime për ata që kanë më shumë nevojë.