Me datë 16 maj 2018, në ambjentet e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, u zhvillua Forumi Kombëtar me temë “ZOTËSIA PËR TË VEPRUAR – E DREJTË THEMELORE E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR”.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit INCLUSION, me fonde të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Caritas Austria si dhe në bashkëpunim të ngushtë me projektin SOCIETIES me fonde të Bashkimit Europian; projekte të cilat zbatohen nga Caritas Shqiptar dhe kanë në fokus çështje që lidhen me aftësinë e kufizuar.
Caritas-i, me vizionin e tij për dinjitetin e çdo anëtari të shoqërisë, duke përfshirë ktu dhe personat me aftësi të kufizuar, si element i qenësishëm i qenies njerëzore. Punojmë dhe advokojmë. Jemi ofrues shërbimesh për PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR, por edhe zëdhënës të të drejtave dhe interesave të tyre. I shoqërojmë dhe i dëgjojmë, kështu që tema e këtij forumi është edhe shprehje e kërkesës së tyre.
Neni 12 i Konventës së OKB për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuar, tashmë e ratifikuar nga Shqipëria prej më se 5 vjetësh. Ky nen do të trajtohet gjerësisht në vazhdim nga ekspertja, kështu që po kufizohemi vetëm në një detaj jo të parëndësishëm, që ka të bëjë me mospërmendjen aty të termit “zotësi për të vepruar”.
Në vend të tij do të hasim “kapacitet ligjor”, çka përbën një problem me përkthimin. Në terminologjinë juridike shqipe lokucioni “kapacitet ligjor” nuk ekziston, kështu që ai në fakt i referohet pikërisht zotësisë për të vepruar.
Faza aktuale në të cilën ndodhet procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe nevoja për përmirësime të mëtejshme në legjislacion për arritjen e këtij qëllimi.
Projekti “INCLUSION” operon në tre nivele – në nivel qendror, rajonal dhe vendor – ky forum është shprehje e nivelit qendror të zbatimit të projektit.
Objektivat e forumit:
- Të kërkohen zgjidhje për respektimin e zotësisë për të vepruar për grupet e PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR të cilëve kjo zotësi u njihet ligjërisht, por që gjejnë vështirësi në zbatimin e saj në praktikë. Fjala është këtu për personat me aftësi të kufizuar me barriera në komunikim (si ata shqisorë, disleksikët, disgrafikët e të ngjashëm).
- Të diskutohet për hapat gradualë që duhen ndërmarrë në funksion të modifikimeve në politika dhe ndërhyrjeve në legjislacionin shqiptar për njohjen në parim dhe zbatimine në praktikë të zotësisë për të vepruar për PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR intelektivë, duke kaluar nga heqja/kufizimi i zotësisë për të vepruar drejt vendimmarrjes së mbështetur, në përputhje me kërkesat e nenit 12 të Konventës së OKB për të Drejtat e PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR, me ligjin Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar” dhe me standardet e vendeve të BE, pjesë e të cilit Shqipëria synon të bëhet.
IMZOT GEORGE FRENDO – PRESIDENT I KONFERENCËS IPESHKVNORE TË SHQIPERISË
Në fjalën e tij përshëndetëse vuri theksin mbi rolin e kishës katolike në mbështetje të grupeve në rrezik përjashtimi dhe personave me aftësi të kufizuara në veçanti. Puna e Caritas-it është shprehje konkrete e kësaj mbështetje.
HEINZ HABERTHEUER – DREJTOR I AGJENSISË AUSTRIAKE PËR ZHVILLIM
- Habertheuer në fajlimin e tij u shpreh se Caritas-i Austriak, Caritas St. Pölten dhe Caritas-i Shqiptar kanë një bashkëpunim të hershëm që daton që prej viteve 90-të. Ai vuri theksin tek serioziteti i punës së caritasit me grupet me vulnerable të shoqërisë duke ju përgjigjur në kohë nevojave të tyre. Sipas tij Caritas Shqiptar me kapacitetet ekzistuese dhe me aftësine për t’ju përgjigjur ndryshimeve të kohës dëshmohet një organizatë e denjë për të luajtur një rol thelbësor në ofrimin e shërbimeve për PAK.
Studime të shumta tregojnë që Personat me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë, kjo vështirësi është edhe për të tjerët dhe kuptohet që për PAK kjo vështirësi është dyfish më e madhe.
Në bashkëpunimet ndërqeveritare është vënë theksi tek angazhimi më i madh i sektorit publik dhe kryesisht atij privat në përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara.
LUKAS STEINDWEINDTER – PËRFAQËSUES I CARITAS ST. PÖLTEN
Tema e të gjitha sfidave është përfshirja sociale. Vlerat e një shoqërie duken në mënyrën se si ajo i trajton njerëzit që nuk janë shumë të përfshirë, pra që gjenden në anën e të dobtëve.
Ekzistenca e mjeteve ligjre dhe zbatimi i ligjshmërisë janë tregues të mënyrës së funksionimit të një shoqërie të caktuar dhe i faktit nëse ne i mbajmë apo jo përgjegjësitë tona.
Shqipëria ka bërë shumë si në formë, strukturë, ashtu edhe në përmbajtje dhe vjen dita që ne trokasim lehtë në dyert e BE.
Qëllimi i punës sonë është bashkërendimi i veprimtarisë mes të gjithë sektorëve. Nëse ndërveprohet, edhe rezultatet do të vijnë. Ne shpresojmë që nëpunësit e shtetit të dinë të zbatojnë legjislacionin në lidhje me përfshirjen, por edhe që të ketë struktura të ndërtuara me qëllim lejimin e përfshirjes, me qëllim që PAK të mos shihen si viktima, por të jenë me të vërtetë pjesë aktive e shoqërisë.
Si jo më pak e rëndësishme, ai përmend kurrikulën e trajnimit për këshilluesit peer, si gur i themelit për ngritjen e shërbimit të këshillimit të PAK nga PAK.
BARDHYLKA KOSPIRI – ZV. MINISTRE MSHMS
Këto vite Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në zbatim të të drejtave të PAK duke hartuar dhe zbatuar politka që synojnë kalimin nga modeli mjeksor në modelin social. Nënshkrimi nga qeveria Shqiptare i Konvetës si dhe rekomandimet e KE-së për kalimin nga statuset e veçanta tek ligji integral, çuan në miratimin e ligjit për përfshirjen e 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë”.
Në mbështetje të zbatimit të Konventës, në ligjin “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë” është vendosur neni 7, që vendos detyrimin për sigurimin e vendimarrjes së mbështetur për të mundësuar ushtrimin e vullnetit nga një person me aftësi të kufizuara nëpërmjet një kompetence specifike të shtuar, që mbështet qëllimin dhe interesin e tij më të mirë, duke i mundësuar kryerjen e veprimeve për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime.
Më tej përcaktohet se çdo person me aftësi të kufizuara, që ka nevojë për ndihmë në vendimmarrje, merr mbështetjen e duhur nga një individ ose grup individësh të besuar. Mbështetja mund të sigurohet në një sërë mënyrash, përfshirë mbështetjen me anë të interpretimit dhe gjuhës së thjeshtë, si dhe ndihmën në marrëdhëniet e personit me palë të treta, që nuk mund të kuptojnë mënyrat e tij të komunikimit. Mbështetja jepet gradualisht, duke u dhënë kohë të mjaftueshme personave që e kërkojnë atë, për të mësuar se si mund ta përdorin mbështetjen për më të mirën e tyre.
Rregullat, procedurat dhe kriteret e ofrimit të këtyre shërbimeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Jemi në fazën e përgatitjes për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij detyrimi. Do të doja të siguroja që MSHMS, do të vazhdojë të luajë rolin e saj si institucion koordinues në hartimin dhe zbatimin e politikave gjithëpërfshirëse për të fuqizuar më tej personat me aftësi të kufizuar për pjesëmarrje në vendimarrje në jetën politike e shoqërore.
EMANUELA ZAIMI – DREJTUESE E DOWN SYNDROME ALBANIA
Deri në mometin që personi të arrijë moshën 18 vjeç dhe të ketë zotësi juridike për të vepruar, është e rëndësishme që personi me aftësi të kufizuara t’i ofrohen kushtet dhe shërbime që të zhvillojë potencialin e tij, pra, janë të nevojshme terapi dhe shërbime që do ta bëjnë personin që të zhvillojë intelektin e tij dhe të jetë vetë-vendimarrës, këtu i referohem personave me aftësi të kufizuara intelekuale, sepse ky është target grupi edhe më i vështirë.
Tek vendimarrja e mbështetur vihet theksi tek vullneti dhe tek preferencat.
Shërbime si kurse të autonomisë sociale të PAK dhe shërbime të ndërhyrjes së hershme, të cilat mungojnë të ofruara nga shteti, formojnë një praktikë pozitive që të bëjnë më të aplikueshme zotësinë për të vepruar.
Mesazhi im është që “Shërbimet janë A-ja drejtë Zh-së” drejtë vendimeve, pavarësisë, drejt vendimeve të marra në mënyrë sa më të pavarur, nëpërmjet një vendimarrje të mbështetur që të kuptohet vullneti i vërtetë dhe preferencë e personit që do të asistohet.
ZEF LLESHI – KËSHILLUES PEER SI DHE KRYETAR I SHOQATË SË TË VERBËRVE NË DEGËN LEZHË.
U vijua me një dëshmi nga një PAK (i verbër), i cili pohoi se ishte ndeshur me disa barriera: mos njohja e nënshkrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, mos lejimi i nënshkrimit në zyre noteriale, apo mos lejimi për tërheqjen e shpërblimit vjetor pranë Zyrës Postare.
Sipas mendimit tij, përgjegjësia më e madhe bie tek vetë PAK të cilët duhet të ngrejnë zërin edhe më shumë, të jenë të gjithë të bashkuar në një zë dhe sëbashku me advokimin e shoqërisë civile të kenë mundësinë që të integrohen me të drejta të plota në shoqëri.
ANISA METALLA – AVOKATE E SPECIALIZUAR NË ÇËSHTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT PRANË TLAS
Referoi gjerësisht mbi temën e cila e zbërtheu në detaje legjislacionin në fuqi, tregoi praktikën më të mirë gjyqsorë ndërkombëtare dhe doli me rekomandime konkrete në përputhje me kontesktin shqiptar.
REKOMANDIMET E NXJERRA:
- Ndryshimi/përmirësimi i legjislacionit ekzistues për ta përputhur me aktet ndërkombëtare të ratifikuara dhe me standardet EU.
- Prezantim i modeleve lidhur me vendimmarrjen e mbështetur.
- Rritja e ndërgjegjësimit.
- Zhvillimi i kurseve të autonomisë sociale për PAK
- Ngritja e shërbimeve të ndërhyrjes së hershme, të cilat aktualisht mungojnë dhe që duhen ofruara nga shteti
- Vetë-advokim më i madh nga ana e PAK në bashkërendim me punën e OSHC-së.