Çrregullimi bipolar (më parë i quajtur depresioni maniakal) është një çrregullim mendor që shkakton ndryshime të pazakonta të humorit, energjisë, nivelit të aktivitetit, përqendrimit, si dhe të aftësisë për të performuar. Këto gjendje humori variojnë nga periudha sjelljeje të humorit tejet “të lartë”, ngazëllimi, acarimi, apo plot energji (të njohura si episode maniakal) deri në periudha shumë të “ulëta”, të trishtuara, indiferente, apo të pashpresa (të njohura si episode depresive). Periudhat maniakale më pak të rënda njihen si episode hipomaniakale.
Çrregullimi bipolar diagnostikohet tipikisht gjatë adoleshencës së vonë apo periudhës së hershme të moshës së rritur. Me raste, simptomat bipolare mund të shfaqen te fëmijët. Çrregullimi bipolar mund të shfaqet fillimisht edhe gjatë shtatzanisë së gruas apo menjëherë pas lindjes së fëmijës. Edhe pse simptomat mund të variojnë në rrjedhën e kohës, çrregullimi bipolar zakonisht kërkon trajtim përgjatë gjithë jetës. Ndjekja e një plani trajtimi të përshkruar nga mjeku mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Nganjëherë njerëzit përjetojnë simptoma si maniakale, ashtu edhe depresive në të njëjtin episod. Ky lloj episodi quhet episod me tipare të përziera. Ata që përjetojnë episode me tipare të përziera mund të ndihen shumë të trishtuar, bosh, apo të pashpresë, teksa, njëkohësisht, ndihen tejet energjikë.
Trajtimi mund të ndihmojë shumë njerëz, përfshi ata me format më të rënda të çrregullimit bipolar. Një plan trajtimi efektiv zakonisht përfshin një kombinim të medikamenteve dhe psikoterapisë, e quajtur ndryshe “terapia e bisedës”.
Çrregullimi bipolar është një sëmundje që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Episodet e manisë dhe depresionit tipikisht kthehen në rrjedhën e kohës. Mes episodeve, shumë njerëz me çrregullim bipolar janë pa ndryshime humori, por disa syresh mund të kenë simptoma të zgjatura. Trajtimi i vazhdueshëm afatgjatë mund t’i ndihmojë njerëzit në menaxhimin e këtyre simptomave.