Aleanca e Projektit SOCIETIES 2, financuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian, e përbërë nga 5 organizata kombëtare të Caritas-it në Evropën Juglindore (Serbi, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi), si dhe partnerët e tyre, njoftojnë fushatën e përbashkët me rastin e 10 Tetorit – Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Problemet e shëndetit mendor mund të prekin çdonjërin prej nesh në çdo ditë të vitit, por 10 tetori është një ditë në të cilën ne manifestojmë mbështetjen tonë për një shëndet më të mirë mendor.
Për këtë arsye, slogani i fushatës së sivjetshme është:
“Mund t’i ndodhë gjithkujt”.
Në krahasim me vitet e tjera sa i takon mënyrës së shënimit të kësaj dite, sivjet fjala është për një ngjarje të një rëndësie të posaçme.
Si pasojë e situatës së krijuar anembanë botës nga pandemia e COVID-19, muajt e izolimit dhe humbjet e të afërmve kanë patur një ndikim shumë të madh mbi të gjithë ne, prandaj prioritizimi i çështjeve që lidhen me shëndetin mendor nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm sesa sot.
Fushata organizohet online përmes mediave sociale, faqeve të Internetit, posterave, fletëpalosjeve etj. Figura/vizatime të ndryshme që synojnë të përçojnë mesazhin e thyerjes së tabuve dhe eliminimin e stigmës ndaj personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe psiko-sociale, do të shpërndahen nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të teknologjisë së informacionit gjatë këtyre ditëve në të gjitha vendet e sipërpërmendura.
Veç kësaj, më datë 12 tetor, Projekti “Shpresa”, në partneritet me Caritas-in Shqiptar, do të organizojë në qytetin e Shkodrës një aktivitet ndërgjegjësues.
Ngritja e ndërgjegjësimit dhe tërheqja e vëmendjes për nevojën e përmirësimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe për një përfshirje më të madhe sociale për personat me aftësi të kufizuara intelektuale dhe psiko-sociale është objektiv madhor i të gjithë aktorëve socialë që luftojnë për një botë më të mirë për të gjithë, përfshi personat e lartpërmendur, ndërkohë që hartimi dhe zbatimi i politikave efikase në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare në këtë fushë kaq delicate, mbetet edhe sot e gjithë ditën një obligim i jgithi për t’u përmbushur nga ana e autoriteteve shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese përkatëse anembanë rajonit.