DEPRESIONI
#mundt’indodhëkujtdo
Depresioni është një çrregullim humori i zakonshëm por serioz. Ai shkakton simptoma të rënda këmbëngulëse që prekin mënyrën sesi ndihesh, mendon dhe merresh me aktivitetet e përditshme, sikurse janë gjumi, të ngrënët apo puna.
Që të diagnostikohesh me depresion, simptomat duhet të jenë të pranishme për të paktën dy javë. Nëse po përjeton disa nga shenjat dhe simptomat e mëposhtme në pjesën më të madhe të ditës, pothuajse çdo ditë, për të paktën dy javë, mund të jesh duke vuajtur nga depresioni:
- Gjendje shpirtërore të trishtuar, të ankthshme a “boshe”
- Ndjenja dëshpërimi a pesimizmi
- Ndjenja acarueshmërie, frustrimi, apo paqetësie
- Ndjenja faji, të të qenët i pavlerë apo pafuqie
- Humbje interesi apo kënaqësie në pasionet dhe aktivitetet
- Energji të ulur, lodhje, ose ndjenjë “ngadalësimi”
- Vështirësi për t’u përqendruar, për të mbajtur mend apo për të marrë vendime
- Vështirësi për të fjetur, zgjim i parakohshëm në mëngjes, fjetje më shumë sesa duhet
- Ndryshime në oreks apo ndryshim të paplanifikuar peshe
- Mendime për vdekjen a vetëvrasjen, apo tentative për vetëvrasje
- dhimbje, dhimbje koke, ngërrçe apo probleme me tretjen pa një shkak të qartë fizik që nuk qetësohen as me trajtim
ka lloje të ndryshme depresioni, disa nga të cilat zhvilllohen për shkak të rrethanave specifike.
- Depresioni madhor, që përfshin simptoma depresioni në pjesën më të madhe të kohës për të paktën dy javë që në mënyrë tipike bien ndesh me aftësinë për të punuar, fjetur, studiuar dhe ngrënë.
- Çrregullimi këmbëngulës depresiv (I quajtur ndryshe distimia), që zakonisht përfshin simptoma më pak të rënda depresioni që zgjasin shumë më gjatë, tipikisht për të paktën dy vjet.
- Depresioni perinatal, që ndodh kur gruaja përjeton depression madhor gjatë barrës a pas lindjes (depresioni pas lindjes).
- Çrregullimi afektiv stinor, që vjen dhe shkon me stinët, që nis tipikisht në vjeshtën e vonë dhe në fillim të dimrit dhe ikën gjatë pranverës dhe verës.
- Depresioni me simptomat e psikozës, i cili është një formë e rëndë depresioni ku personi përjeton simptoma psikoze, si deluzione (bindje të rreme shqetësuese fikse) a halucinacione (gjëra dëgjimore a pamore që të tjerët nuk i shohin apo dëgjojnë).
Depresioni mund të ndodhë në çdo moshë, por shpesh nis në moshë të rritur. Depresioni tani njihet si diçka që mund t’u shfaqet edhe fëmijëve dhe adoleshentëve, megjithëse nganjëherë paraqitet me acarueshmëri më të dukshme sesa humori i ulët. Shumë çrregullime kronike humori dhe ankthi te të rriturit nisin si nivele të larta ankthi te fëmijët.
Studimet tregojnë se te depresioni luajnë rol faktorë gjenetikë, mjedisorë, biologjikë dhe psikologjikë.
Depresioni mund të shfaqet me sëmundje të tjera të rënda, si diabeti, kanceri, sëmundje të zemrës, dhe sëmundja e Parkinsonit. Këto gjendje janë shpesh më të rënda kur është i pranishëm depresioni, dhe studimet tregojnë se njerëzit që kanë depresion të shoqëruar me sëmundje priren të kenë simptoma më të rënda nga të dyja sëmundjet. Nganjëherë mjekimet që merren për këto sëmundje fizike mund të shkaktojnë efekte anësore që i kontribuojnë depresionit. Një mjek që ka eksperiencë në trajtimin e këtyre sëmundjeve të komplikuara mund të ndihmojë për të përpunuar strategjinë më të mirë për trajtim.
Depresioni, edhe në rastet më të rënda, mund të trajtohet. Sa më herët të fillojë trajtimi, aq më efektiv është. Depresioni në përgjithësi trajtohet me medikamente, psikoterapi, ose një kombinim të të dyjave. Nëse këto trajtime nuk i pakësojnë simptomat, terapia elektrokonvulsive (ECT) dhe terapi të tjera simuluese të trurit mund të jenë opsione për tu eksploruar.
- Antidepresantët kërkojnë kohë – në përgjithësi 4 deri në 8 javë – për të funksionuar, dhe shpesh, simptomat si gjumi, oreksi,dhe problemet me përqendrimin përmirësohen përpara ngritjes së humorit,prandaj është e rëndësishme që tu jepet një mundësi mjekimeve para se të vlerësosh nëse funksionojnë. Nëse fillon të marrësh antidepresantë, mos i ndërprit pa u konsultuar me mjekun.
Përtej Mjekimeve: Gjëra Që Mund Të Bësh
Pasi të fillosh trajtimin,duhet të fillosh të ndjehesh më mirë gradualisht. Ja disa këshilla që mund të ndihmojnë ty apo një të afërm gjatë trajtimit për depresion:
- Përpiqu të bësh aktivitete fizike. Vetëm 30 minuta ecje në ditë mund të të rrisë humorin.
- Përpiqu të mbash një regjim të rregullt gjumi.
- Ushqehu rregullisht dhe shëndetshëm.
- Bëj çfarë të mundesh si të mundesh. Vendos çfarë duhet të kryhet dhe çfarë mund të presë.
- Përpiqu të lidhesh me njerëz të tjerë, dhe të flasësh me njerëz që ju beson për gjendjen tënde.
- Shtyj për më vonë vendimet e rëndësishme, si për shembull, martesën apo divorcin, apo ndryshimin e punës derisa të ndihesh më mirë.
- Shmang përdorimin e alkoolit, nikotinës, apo drogave, përfshirë ilaçet pa recetë.