Dita ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara kremtohet më 3 dhjetor. Kjo ditë përbën mundësinë e radhës për të nënvizuar rëndësinë e saj në jetën e përditshme. Caritas-i Shqiptar, së bashku me organizatat partnere në kuadër të projektit rajonal SOCIETIES 2 të financuar nga Bashkimi Evropian, po zbaton një fushatë të quajtur “15 prej nesh”, që synon të ngrejë vetëdijen e publikut për çështjen e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas nenit 9 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë për të aksesuar godinat, rrugët, transportin, hapësirat e mbyllura dhe të hapura, informacionet, komunikimin dhe shërbimet, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.

Fatkeqësisht, në vendin tonë, edhe sot e kësaj dite, në shekullin e 21-të, personat me aftësi të kufizuara përballen me sfida shumë të mëdha kur është fjala për aksesin në objekte, informacione dhe shërbime. për shkak të mjedisit të paaksesueshëm, ata nuk mund të kryejnë në mënyrë të pavarur disa nga aktivitetet më të thjeshta, si: vizita në muzeume dhe objekte të tjera kulturore, shëtitje në parqe dhe në natyrë, kalimi i sigurt i rrugës, qëndrimi në hotele dhe objekte të tjera, pagimi i faturave apo blerjet online, etj.. shoqëria e ka bërë një gjë të tillë të pamundur për ta duke ndërtuar një mjedis të paaksesueshëm.

 

Fushata “15 prej nesh” është një nga aktivitetet e projektit “SOCIETIES 2”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe që po zbatohet në 5 vende të IPA-s: Shqipëri, Serbi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të zi. Projekti zbatohet nga një aleancë e 12 organizatave joqeveritare dhe në Shqipëri projektin e drejton Caritas-i Shqiptar në partneritet me Shoqatën “Projekti Shpresa” Shkodër. Projekti synon të forcojë organizatat e shoqërisë civile që punojnë me personat me aftësi të kufizuara.

Fushata u organizua në një mjedis virtual përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të Internetit. Ilustrime të ndryshme përçojnë mesazhin për rëndësinë e aksesueshmërisë në mënyrë interesante. Mbarë shoqëria duhet të krijojë një mjedis të tillë që të gjithë njerëzit, pavarësisht nga aftësia e kufizuar, në të njëjtat rrethana me të tjerët, të mund të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Ne ftojmë çdo individ të ngrejë zërin dhe t’i thotë PO një mjedisi të aksesueshëm për të gjithë. Ndajeni këtë ilustrim në profilin tuaj në çdo rrjet social dhe shkruani PO!

 

Ne ftojmë mediat që ta botojnë materialin e përgatitur, i cili është i disponueshëm në faqen e Internetit të Caritas-it Shqiptar dhe mund të shkarkohet falas në: http://caritas.ba/hr/kampanje/32

 

Stefan Paloka,

Coordinator për Shqipërinë