Festival i shëndetit mendor 2022

Në kuadër të zbatimit të Projektit SOCIETIES 2, financuar nga Bashkimi Europian nga Caritas Shqiptar në partneritet me Shoqatën “Projekti Shpresa”, u realizua fushata Festivali i Shëndetit Mendor 2022, nën moton “Ushqe shëndetin mendor jo paragjykimin Mund ti ndodhë kujtdo”.

Seria e aktiviteteve nisi më datë 10 tetor me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor dhe përfundoi më datë 20 tetor në Ditën Botërore të Vlerave.

Duke qenë se ne përballemi me pengesa si – STIGMA DHE PARAGJYKIMI, aktivitetet u zhvilluan me qëllim zbutjen e stigmës dhe sfidimin e paragjykimit me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe me gjendje komorbide të shëndetit mendor.

Dita e parë më datë 10 tetor u hap fushata nën moton “Ushqe shëndetin mendor jo paragjykimin – Mund ti ndodhë kujtdo” me aktivitetin socio-artistik realizuar nën moderimin e Znj. Suela Ndoja dhe Znj. Adriana Marku, në bashkëpunim me Madonnina del Grappa dhe Motrat Misionare të Bamirësisë së Motrave të Nënë Terezës, Qendrën e Zhvillimit Shtetëror dhe Shkollën Speciale “3 Dhjetori”.

Koordinatori i SOCIETIES 2 për Shqipërinë nga Caritas Shqiptar Z. Stefan Paloka vuri theksin pikërisht tek Aktivitetet e Fushatës “Mund t’i ndodhë kujtdo” që i shërbejnë një qëllimi final të dyfishtë

  1. ngritja e vetëdijes për rëndësinë e parandalimit të problemeve dhe mbrojtjes së shëndetit mendor dhe
  2. ngritja e vetëdijes për pozitën e personave me probleme të shëndetit mendor.

Performues të aktivitetit ishin vetë personat me aftësi të kufizuara. Morën pjesë rreth 200 persona. Aktiviteti u zhvillua tek Salla “ Kardinal Mikel Koliqi” Shkodër.

Dita e dytë më datë 11 tetor vijoi me ekspozimin e një Panairi të punimeve okupacionale që bëhen nga persona me aftësi të kufizuar nën kujdesin e stafit përkujdesës dhe profesional të Shoqatës Projekti Shpresa, Madonnina del Grappa, Qendra e Zhvillimit, Qendra Harmonia dhe Shkolla Speciale. Synimi rritja e nivelit të vetëdijësimit për kujdesin ndaj shëndetit mendor. Për komunitetin, u shpërndanë fletëpalosje lidhur me shëndetin mendor pozitiv nga vetë të rinjtë e Projektit Shpresa së bashku me stafin profesional. Aktiviteti u zhvillua përpara sheshit të Bashkisë Shkoder.

Dita e tretë më datë 12 tetor vijoi me Workshopin “Zgjoje Pikason brenda vetes” me qëllim për të sensibilizuar të rinjtë me aftësi të kufizuara që të mësojnë për të mbajtur ngjyrat e shpirtit të qeshura, pozitive si një mjet për të ushqyer mendjen me mendime pozitive për jetën. Workshopi u drejtua nga ekspertja e shërbi

meve sociale, Bashkia Shkodër, Znj. Lorena Bardeli. Morën pjesë 15 të rinj e të reja të shtëpive familje dhe familje të qytetit të Shkodrës.

Dita e katërt më datë 13 tetor vijoi me Seminarin “Si të reduktojmë boreout (demotivimin) dhe burnout (konsumin) profesional tek profesionistët e shëndetit mendor dhe përkujdesit social për PAK modeli i shpërndarjes së kujdesit të integruar”. Të ftuar kyç për trajtimin e tematikës ishin nga Bashkia Shkoder, Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Shëndetit Publik dhe Strehimit, përfaqësuar nga Znj. Lorena Bardeli, nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve Sociale, Zj. Valbona Tula, nga Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, Dr. Gjon Preçi, nga Qendra Shëndetësore Nr 2, Dr. Vilarta Brahimi. Morën pjesë 20 persona, staf profesional e të përkujdesit social të shtëpive familje të Projektit Shpresa, nga Motrat Misionare të Nënë Terezës dhe staf drejtues e profesional nga Shkolla Speciale “3 Dhjetori”.

I pranishëm ishte edhe Koordinatori i Societies2, Stefan Paloka i cili vuri në dukje klimën pozitive që ekziston në qytetin e Shkodres lidhur me tematika kaq të ndjeshme të shëndetit mendor por që akoma mbetet shumë për të bërë në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në këtë drejtim. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Qendrës Kolping, Shkoder.

Dita e pestë më datë 14 tetor vijoi me aktivitetin sensibilizues ”Ditë e hapur terapie” për autoritetet publike dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve me qëllim njohjen nga afër të terapive okupacionale të realizuara nga persona me aftësi të kufizuara si një metodë e efikase për rehabilitimin psikosocial. Në ambientet e Qendrës Ditore “Silvana Vignali” dhe në ambientet e Laboratorit “Antonnio Bozza”, vizita mbresëlënëse ishin nga persona të interesuar nga komuniteti, Bashkia Shkoder, Zyra Rajonale për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nga Qendra e Formimit Profesional e të tjerë të interesuar nga komuniteti

Dita e gjashtë më datë 17 tetor vijoi me aktivitetin psikosocial “Mantra e shëndetit mendor” që  konsistoi në zhvillimin e diskutimit me teknika konkrete “Gjej mantrën personale” me të rinjtë pjesëmarrës me aftësi të kufizuara, pasuar nga një konkurs i punimeve krijuese të të rinjve me mesazhin kushtuar shëndetit mendor. Morën pjesë 30 përfaqësuese nga të rinjtë e Projektit Shpresa, Madonnina del Grappa dhe Motrave Misionare të Nënë Terezës të shoqëruar nga stafi profesional dhe përkujdesës. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Qendrës Ditore “Silvana Vignali” të Shoqatës “Projekti Shpresa”

Dita e shtatë me datë 18 tetor vijoi me aktivitetin sensibilizues “Roli i mjekut të familjes në identifikimin e problemeve të shëndetit mendor”. Morën pjesë 7 të rinj me aftësi të kufizuara të shoqëruar nga psikologia. Aktiviteti u zhvillua tek Qendra Shëndetësore Nr 2. tek mjekja e familjes, Dr. Vilarta Brahimaj. Në fund të aktivitetit u shpërndanë fletëpalosjet mbi shëndetin mendor pozitiv me qëllim që tu shpërndahen vizitorëve të ndryshëm që ndalen tek qendra shëndetësore nr 2.

Dita e tetë më datë 19 tetor vijoi me SEMINARIN sensibilizues “Sa di ti për depresionin?” Qëllimi ishte komunikimi i të dhënave të përfituara nga sondazhi mbi depresionin, i shpërndarë në popullatë gjatë Festivalit të Shëndetit Mendor 2021 dhe për të shpërndarë fletëpalosjet për Shëndetin Mendor pozitiv Morën pjesë 18 mësues të edukimit special, punonjës ndihmës të Shkollës Speciale “3 Dhjetori” si dhe 2 të rinj përfitues të Projektit Shpresa që kanë ndihmuar në shpërndarjen e sondazheve dhe 1 edukatore e Laboratorit “Antonnio Bozza”. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Shkollës Speciale “3 Dhjetori”.

Dita e mbylljes më datë 20 tetor me forumin e të rinjve me aftësi të kufizuar “Eklipsi i shëndetit mendor”. Qëllimi sensibilizimi mbi realitetin, paragjykimet që ndodhin në jetë, në punë dhe në aktivitete të tjera jetësore tek të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe që kanë gjendje komorbide të shëndetit mendor. Të ftuar ishin Zj. Brisela Kadija Truma, Kryetare e Këshillit Bashkiak Bashkia Shkodër, Znj. Lorena Bardeli, përfaqësuese e Drejtorisë së Shërbimit Social, Strehimit, Shëndetit Publik, Bashkia Shkoder, Zj. Filomena Bujarja Gemi, përfaqësuese e Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dr Kledi Bala Lame, përfaqësuese e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Zj. Migena Haxhi, përfaqësuese e Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë për Qarkun Shkoder. Forumi u ndoq nga 14 të rinj, ndër të cilët nga Shoqata “Projekti Shpresa”, Kuvendi i Motrave të Nënë Terezës dhe të rinjtë banorë të qytetit.I pranishëm ishte edhe Koordinatori i Societies2, Stefan Paloka i cili mbështeti fort çështjet që prekin personat me aftësi të kufizuara, duke vënë në dukje se konkluzionet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky aktivitet do të përcillen në grupin e task forcës me një zë të fuqishëm në kuadër të respektimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë fushatë janë përfshirë direkt dhe indirekt persona me aftësi të kufizuara, kujdestarë, stafe profesionale, ekspertë të fushës së shëndetit mendor, drejtues të autoriteteve publike përgjegjëse për çështjet sociale, këngëtarë të mirënjohur të qytetit e të tjerë të interesuar.  

Kjo fushatë është mbështetur nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik, Bashkia Shkoder.