Izolimi nga Covid-19 solli shumë ndryshime negative në jetën e secilit prej nesh. U përshtatëm me normalitetin e ri, të punonim nga shtëpia duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë tona për të realizuar punën në kushtet e ndodhura dhe kryesisht nëpërmjet platformave online.

Por jo të gjitha bizneset, kompanite apo shoqatat mund ta zhvillonin punën nga shtëpia, gjë që e vështirësonte akoma më shumë mbijetesën në kushtet e izolimit nga Coivd-19.

Shumë biznese e kompani u mbyllën për të mos u hapur më pasi falimentuan e shume të tjera reduktuan stafin në kushtet e një mbijetese.

Të gjitha këto efekte negative të pandemisë i kanë vuajtur kryesisht familjet të cilat humbën punën, kanë një person me aftësi të kufizuara në shtëpi apo të moshuar të braktisur.

Pikërisht në këtë moment mjaft kritik për shumë familje në nevojë të cilat dhe në kushte normale ja dilnin me shumë vështirësi jetës së përditshme, Caritas Shqiptar nëpërmjet mbështetjes financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Ambasadës Austriake në Shqipëri, realizuan blerjen e produkteve ushqimore dhe higjenike të shportës për 141 familje në nevojë në Bashkitë: Shkodër, Vau Dejës, Lezhë dhe Kurbin.

Qëllimi i kësaj ndërhyrje eshte mbështetja e këtyre familjeve në nevojë në periudhën e vështirë që po kalojmë për shkak të COVID-19.

Në këtë nisëm u angazhua stafi i Caritas Shqiptar qendror dhe lokal me një përkushtim maksimal për t’u shërbyer këtyre familjeve në nevojë duke punuar në linjën e caritasit “NË NDIHMË TË NJERËZVE NË NEVOJË”.

Kjo ndihmë ka qenë e domosdoshme dhe familjarët janë shprehur shumë të kënaqur dhe falenderues duke u shprehur se me këtë sasi ushqimore ata mund të kalonin 2 -3 muaj.

Në Bashkinë Kurbin, gjatë shpërndarjes së paketave ushqimore e higjenike ishin të pranishëm, Sh.T Ambasador Christian Steiner, i cili vizitoi nga afër dy familje në nevojë, Z. Gjergj Leqejza, Konsulli i Nderit, Monsinjor Henry Veldkamp, përfaqësues i Arkdioqezës Tiranë-Durrës, Zj. Iris Menga, Nënkryetare e Bashkisë Kurbin, përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim në Shqipëri si dhe stafi i Caritas Albania – Shqiptar.

Në tre Bashkitë e tjera pjesë të këtij projekti, Caritaset Dioqezane dhe Famullitë përkatëse kanë luajtur nje rol kryesor si në procesin e përzgjedhjes së familjeve ashtu edhe në shpërndarjen e paketa ushqimore e higjenike direkt në banesë tek këto familje në mënyre që të evitoheshin grumbullime pranë ambjenteve të Caritaseve Dioqezane.

Në emër të familjeve të asistuara, falenderojmë Agjencinë Austriake për Zhvillim dhe Ambasadën Austriake në Shqipëri.