SELIA E SHENJTE

MESAZHI I ATIT TE SHENJTE FRANCESKU II DITA BOTËRORE E TË VARFËRVE

E DIELË XXXIII (Koha gjate Vitit)

18 nëntor 2018

 

Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi

  1. «Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi» (Psalmi 34,7). Fjalët e psalmistit bëhen tonat në çastin kur jemi të thirrur për të prekur nga afër kushtet e ndryshme të vuajtjes dhe margjinalizimit në të cilat jetojnë aq shumë vëllezër e motra, e që ne jemi mësuar t’i përcaktojmë me termin “të varfër”. Për atë që i shkruan këto fjalë, kjo gjendje nuk është e huaj, e panjohur, përkundrazi. Ai përjeton varfëri të drejtpërdrejtë dhe, megjithatë, e shndërron atë në një këngë falenderimi dhe lavdi ndaj Hyut. Ky Psalm na lejon sot ne, të zhytur në kaq shumë forma varfërie, të kuptojmë se kush janë të varfërit e vërtetë, drejt të cilëve jemi thirrur të drejtojmë vështrimin tonë për të dëgjuar britmën e për të njohur nevojat e tyre.

Para së gjithash na thuhet se Hyu i dëgjon të varfërit ndërsa e thërrasin dhe është i mirë me ata që kërkojnë tek Ai strehim, prehje, me zemër të thyer nga trishtimi, vetmia dhe përjashtimi. Dëgjon sa të shumtë janë ata që ndjehen të shkelur në dinjitetin e tyre e që pavarësisht, rigjejnë forcën për të ngritur shikimin lart për të marrë dritë, mbështetje e ngushëllim. Dëgjon ata që përndiqen në emër të një drejtësie të rreme, të shtypur nga politikat e padenja për këtë emër, të frikësuar nga dhuna; e megjithatë ata e dinë se në Hyun kanë Shpëtimtarin e tyre. Ajo çka del e duket nga kjo lutje është mbi të gjitha ndjenja besimplotë tek një Atë që dëgjon dhe mirëpret. Në sintoni me këto fjalë, ne mund ta kuptojmë më thellë në brendi atë çka Jezusi shpalli me lumni. «Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve» (Mt 5,3).

 

Falë kësaj përvoje unike dhe, në shumë pikëpamje, e pamerituar dhe e pamundur për t’u shprehur plotësisht, ndihet ende dëshira për t’ia komunikuar të tjerëve, para së gjithash të gjithë atyre që si Psalmisti janë, të varfër, të refuzuar dhe të margjinalizuar. Askush në të vërtetë nuk mund të ndihet i përjashtuar nga dashuria e Hyut, veçanërisht në një botë që shpesh e konsideron pasurinë si qëllim të parë dhe të mbyll në vetvete.

  1. Psalmi karakterizon me tre folje qëndrimin e të vobektit, skamnorit dhe raportin e tij me Hyun. Para së gjithash, “thirr”. Gjendja e varfërisë nuk shterron me një fjalë, bëhet një britmë që përshkon qiellin e arrin tek Hyu. Po çfarë shpreh britma e të varfërit, nëse nuk shpreh vuajtjet e vetminë e tij, zhgënjim dhe shpresë? Mund të pyesim veten: pse kjo bitmë, që ngjitet deri tek Hyu, përse nuk mund të arrijë në veshët tanë dhe na lë indiferentë dhe të pasigurtë? Në një Ditë si kjo, ne jemi thirrur për një analizë serioze të ndërgjegjes, për të kuptuar nëse jemi vërtetë të aftë për të dëgjuar të varfrit.

Është heshtja e dëgjimit të asaj çka duhet të njohim në zërin e tyre. Nëse ne flasim shumë, nuk do të mund t’i dëgjojmë. Shpesh, kam frikë se shumë iniciativa, megjithëse të vlerësueshme dhe nevojshme, janë drejtuar më shumë për të kënaqur, plotësuar vetveten, sesa për ta kapur e kuptuar vërtet britmën e të varfërve. Në këtë rast, në çastin kur të varfrit bëjnë të dëgjohet zëri I tyre, reagimi nuk është koherent, nuk është I aftë të jetë në sintoni me gjendjen e tyre. Jemi shumë të zënë në kurthin e një kulture që detyron të shihesh në pasqyrë dhe të kujdesesh përtej normave për vetveten, aq sa të mendohet që një gjest altruizmi është i mjaftueshëm për të bërë dikë të lumtur, pa u kompromentuar direkt.

  1. Folja e dytë “përgjigju”. Hyu, thotë Psalmisti, jo vetëm dëgjon britmën e skamnorit, por përgjigjet. Përgjigja e Tij, siç edhe vërtetohet përgjatë gjithë historisë së shëlbimit, është një pjesëmarrje plot dashuri ndaj gjendjes së skamnorit. Kështu qe kur Abrahami I shprehte Hyut dëshirën për të patur pasardhës, edhe pse ai e gruaja e tij Sara, tashmë të vjetër, nuk kishin fëmijë (cfr Gjen 15,1-6). E kjo ndodhi kur Moisiu, përshkoi flakën e zjarrit në mes të një kaçube e kaçuba ishte e ndezur flakë, por nuk digjej, mori zbulesën e emrit hyjnor dhe misionin për ta nxjerrë popullin e tij nga Egjipti (cfr Dalja 3,1-15). E kjo përgjigje u konfirmua përgjatë gjithë rrugëtimit të popullit në shkretëtirë: kur ndjente kafshimin e urisë dhe etjes (cfr Es 16,1-16; 17,1-7), dhe kur zhytej në më të thellën mizerje, pra në pabesia me alleancën dhe idhulltarinë (cfr Es 32,1-14).

Përgjigja e Hyut skamnoreve është gjithmonë një ndërhyrje shpëtimi për të mjekuar plagët e shpirtit dhe trupit, rivendosur drejtësinë dhe për të ndihmuar të rifillohet me dinjitet jeta. Përgjigjja e Hyut është gjithashtu një apel për këdo që beson në Të, të bëjë të njëjtën gjë brenda kufijve të qenies njerëzore. Dita Botërore për të Varfrit ka për qëllim të jetë një përgjigje e vogël që nga e gjithë Kisha I drejtohet skamnorëve të çdo tipi e toke e që ata të mos mendojnë se thirrjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndoshta, është si një pikë uji në shkretëtirën e varfërisë; dhe megjithatë mund të jetë shenjë e bashkëndarjes për ata që janë në nevojë, të ndiejnë praninë aktive të një vëllai apo një motre. Nuk është një akt delegimi ai që i  nevojitet skamnorit, por përfshirja personale e të gjithë atyre që dëgjojnë thirrjen, britmën e tyre. Shqetësimi i besimtarëve nuk mund të kufizohet thjesht në formë ndihmash – edhe pse të nevojshme dhe domosdoshme në fillim – por që kërkon atë “vëmendje plot dashuri” (Esort. ap. Evangelii gaudium, 199).) e cila e nderon tjetrin si person dhe mundohet për të mirën e tij.

  1. Një folje e tretë është “për të çliruar”. Skamnori në Bibël jeton me sigurinë se Hyu ndërhyn në favor të tij për t’i rivendosur dinjitetin. Varfëria nuk kërkohet, por është krijuar nga egoizmi, krenaria, lakmia dhe padrejtësia. Të këqija të vjetra aq sa i vjetër është njeriu, por ende mëkate që përfshijnë shumë të pafajshëm, e që çojnë në pasoja shoqërore dramatike. Veprimi me të cilin Hyu liron është një akt shpëtimi për ata që kanë treguar trishtimin dhe ankthin e tyre ndaj tij. Burgosja e varfërisë thyhet kështu nga fuqia ndërhyrjes së Hyut. Shumë Psalme tregojnë dhe celebrojnë këtë histori shpëtimi e që pasqyrohet në jetën personale të skamnorit: «sepse nuk e përbuzi as s’e qiti në harresë mjerimin e skamnorit, nuk e fshehu fytyrën e vet prej tij, por, kur i kërkoi ndihmë, e dëgjoi » (Sal 22,25). Të sodisësh fytyrën e Hyut është shenjë e miqësisë së Tij, e afërsisë, e shpëtimit të Tij. « Ti shikove me dhimbje mbi mjerimin tim, ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë; […] hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.” (Sal 31,8-9). T’i ofrosh skamnorit “një rrugë shpëtimi” është njëlloj sikur “t’a çlirosh nga laku i gjahtarëve” (cfr Sal 91,3), ta largosh nga kurthi i ngritur pëgjatë rrugës së tij, që të mund të ecë me hap të lehtë e të shpejtë e jetën të shikojë me sy të qetë. Shëlbimi i Hyut merr format e një dore që zgjatet drejt skamnorit, që ofron mikpritje, mbron dhe i lejon atij të ndjejë miqësinë për të cilën ka nevojë. E duke u nisur nga kjo afërsi konkrete e prekshme, merr jetë një rrugëtim çlirimi i mirëfilltë: «Cdo i krishterë dhe komunitet janë të thirrur të jenë instrumente të Hyut për çlirimin dhe promovimin e të varfërve, në mënyrë që ata të mund të integrohen plotësisht në shoqëri; kjo supozon që të jemi të bindur e të vemendshëm për të dëgjuar britmën e skamnorit e për ta ndihmuar atë» (Esort. ap. Evangelii gaudium, 187).

 

  1. Ndjehem shumë i emocionuar kur mësoj se janë të shumtë skamnorët që janë identifikuar me Bartimeun për të cilin flet evangjelisti Mark (krh 10,46-52). Bartimeu i verbër ‘ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte “(v. 46), dhe kur dëgjoi se po kalonte Jezusi,” filloi të bërtasë, “dhe të thërrasë” Bir i Davidit, ki mëshirë për mua (krh v. 47). ” Shumëkush e qortonte të heshte, porse ai bërtiste edhe më fort” (vargu 48). Biri i Hyut dëgjoi thirrjen e tij: “” Çka dëshiron të bëj për ty? “. Dhe i verbëri iu përgjigj: ” Rabbuni! Që të shoh përsëri! ‘»(V.51). Kjo pjesë e Ungjillit bën të dukshme atë çka Psalmi shpall si premtim. Bartimeu është një njeri i varfër që e gjen veten pa aftësitë themelore, si të shohësh dhe të punosh. Sa e sa shtigje akoma sot çojnë në forma pasigurie! Mungesa e mjeteve themelore të jetesës, qënia në zgrip kur nuk je më në majë të aftësisive të tua për punë, format e ndryshme të skllavërisë sociale, pavarësisht progresit të bërë nga njerëzimi … Si Bartimeu, sa e sa të varfër janë tani në buzë të rrugës dhe të kërkojë një domethënie për gjendjen e tyre! Sa e sa prej tyre pyesin vetveten mbi përsenë e shkuarjes në fundin e kësaj humnere e se si mund të dalin prej aty! Presin që dikush t’I afrohet e t’I thotë: «Kurajo! Cohu se po të thërret! » (v. 49).

Fatkeqësisht ndodh shpesh herë që, në të kundërt, zërat që dëgjohen janë zëra qortimi dhe ftese për të heshtur e pësuar vuajtje. Janë zëra që stonojnë, të përcaktuara shpesh nga një fobi për të varfërit, që konsiderohen jo vetëm si skamnorë, por edhe si bartës të pasigurisë, jostabilitetit, çorientimit nga zakonet e përditshme dhe që duhen refuzuar dhe mbajtur larg. Tendenca është të krijohet distancë mes tyre dhe nesh. e nuk e kuptojnë se në këtë mënyrë bëhemi të largët për Hyun, që përkundrazi nuk i refuzoi por i thërret pranë vetes e i ngushëllon. Sa të përshtatshme tingëllojnë në këtë rast fjalët e profetit mbi stilin e jetës së besimtarit: “t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë […] ta ndash bukën tënde me të uriturin, [… ] t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët, […] Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe “(Is 58,6-7). Kjo mënyrë të sjelluri lejon që mëkati të falet (cfr 1 Pt 4,8), para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam! (cfr Is 58,9).

  1. Të varfrit janë të parët që njohin praninë e Hyut dhe dëshmojnë afrinë e tij në jetën e tyre. Hyu I mbetet besnik premtimit të tij dhe madje edhe në errësirën e natës nuk ia lë mangut ngrohtësinë e dashurisë dhe ngushëllimin e tij. Megjithatë, për të kapërcyer gjendjen shtypëse të varfërisë, është e nevojshme që ata të perceptojnë praninë e vëllezërve dhe motrave që kujdesen për ta e duke hapur derën e zemrave e të jetës së të tyre bëjnë që ata të ndihen si miq e pjesë e familjes. Vetëm në këtë mënyrë mund të zbulojmë “fuqinë shpëtuese të egzistencës së tyre” e “t’i vendosim në qendër të jetës së Kishës” (Esort. ap. Evangelii gaudium, 198).
Sot në këtë Ditë Botërore jemi të thirrur të konkretizojmë fjalët e Psalmit: « Do të hanë skamnorët e do të ngihen» (Sal 22,27). Ne e dimë se në tempullin e Jerusalemit, pas ritualit të sakrificës, shtrohej banketi. Në shumë Dioqeza, kjo ka qenë një përvojë që vitin e kaluar e ka pasuruar celebrimin e Ditës së Parë Botërore për të Varfërit. Shumë prej tyre kanë gjetur ngrohtësinë e një shtëpie, gëzimin e një vakti festiv dhe solidaritetin e atyre që donin të bashkëndanin me ta tryezën në mënyrë të thjeshtë dhe vëllazërore. Do të doja që këtë vit dhe në të ardhmen kjo Ditë të festohet në emër të gëzimit për rigjetjen e kapaciteteve, mundësive, për të qenë së bashku. Duke u lutur bashkarisht në komunitet të dielën dhe duke bashkëndarë ushqimin. Një përvojë që na kthen në të parën bashkësi të krishterë, të cilën Evangjelisti Luka e përshkruan në të gjithë origjinalitetin dhe thjeshtësinë e saj: «Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. […] Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe I shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. » (At 2,42.44-45).
  1. Janë të panumërta iniciativat që çdo ditë bashkësia e krishterë ndërmerr, për të dhënë një shenjë të afërsisë dhe lehtësimit formave të shumta të varfërisë që janë përpara syve tanë. Shpesh bashkëpunimi me realitete të tjera, të cilat nuk nisen nga besimi, por nga solidariteti njerëzor, arrin të sjellë ndihmë që të vetëm nuk mund ta arrijmë. Duke e ditur se në botën e pafund të skamjes, edhe ndërhyrja jonë është e kufizuar, e dobët dhe e pamjaftueshme, na shtyn të shtrijmë duart drejt të tjerëve, kështu që bashkëpunimi i ndërsjellë mund të arrijë qëllimin në mënyrë më efektive. Ne nxitemi nga besimi dhe detyrimi i bamirësisë, por ne dimë të njohim forma të tjera ndihme dhe solidariteti të cilat pjesërisht synojnë të përmbushin të njëjtat qëllime; për sa kohë që ne nuk e lëmë pas dore atë që na përket, është e përshtatshme për ne, thënë ndryshe t’i çojmë të gjithë tek Hyu dhe në shenjtëri. Dialogu midis përvojave të ndryshme dhe përulësia për të ofruar bashkëpunimin tonë, pa asnjë lloj protagonizmi, është një përgjigje e përshtatshme dhe plotësisht ungjillore të cilën mundemi ta arrijmë.

Përballë të varfërve nuk është çështje loje për të pasur parësinë e ndërhyrjes, por ne mund ta pranojmë me përulësi se është Shpirti ai që ngjall gjestet si shenjë e përgjigjes dhe afërsisë së Hyut. Kur gjejmë rrugën për t’iu afruar të varfërve, e dimë se parësia i përket Atij, i cili i ka hapur sytë dhe zemrën tonë në konvertim e ndryshim. Nuk është protagonizmi ai që nevojitet të varfëri, por dashuria që di se si të fshihet dhe të harrojë të mirën e bërë. Protagonistët e vërtetë janë Hyu dhe të varfrit. Kushdo që e vendos veten në shërbim, është një instrument në duart e Hyut për ta bërë të njohur praninë dhe shëlbimin e tij. Shën Pali e kujton këtë duke u shkruar të krishterëve të Korintit, të cilët konkurruan mes tyre në hire duke kërkuar më prestigjozët: «Nuk mundet syri ti thotë dorës: “Nuk kam nevojë për ty”; apo koka këmbëve: “Nuk kam nevojë për ju» (1 Kor 12,21). Apostulli bën këtë vlerësim të rëndësishëm duke vënë në dukje se ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme (shih vargu 22);  ” dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Ndërsa jep një mësim themelor mbi hiret, Pali edukon gjithashtu komunitetin për qëndrimin ungjillor ndaj anëtarëve më të dobët dhe më të varfër. Larg pra ndjenjat e dishepujve të Krishtit nga ndjenjat e përbuzjes dhe mëshirës kundrejt tyre; përkundrazi ata thirren për t’i nderuar, për t’u dhënë atyre përparësi, të bindur se ata janë një prani e vërtetë e Jezusit mes nesh. ” çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua » (Mt 25,40).

  1. Këtu kuptohet se sa e largët është mënyra jonë e jetesës nga ajo e botës, që lavdëron, ndjek dhe imiton ata që kanë fuqi dhe pasuri, duke margjinalizuar të varfërit dhe konsideruar një humbje dhe turp. Fjalët e Apostullit janë një ftesë për të dhënë plotësinë e Ungjillit në solidaritet me gjymtyrët më të dobëta dhe më pak të zhvilluara të trupit të Krishtit: « nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. » (1 Kor 12,26). Në të njejtën mënyrë në letrën drejtuar Romakëve na këshillon: « Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë! Jini në përkim me njëri‑tjetrin! Mos dëshironi nderime të larta, përkundrazi t’ju tërheqin ato të përvuajturat! Mos ia mbushni mendjen vetes se jeni të urtë » (12,15-16). Kjo është thirrja e dishepullit te Krishtit, ideali drejt të cilit duhet të priremi me ngulm e forcë e t’a asimilojmë gjithnjë e më shumë në vetvete « Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus» (Fil 2,5).

 

  1. Një fjalë shprese bëhet epilogu natyror drejt të cilit na drejton besimi. Shpesh janë pikërisht skamnorët ata që e fusin në krizë indiferencën tonë, fryt i një vizioni të stërmadh jete dhe i lidhur me të tashmen. Thirrja e të varfërve është po ashtu një thirrje shprese me të cilën shfaq sigurinë e shëlbimit. Është shpresa e bazuar në dashurinë e Hyut, ajo që nuk braktis ata që vetveten Atij ia besojnë (cfr. Rm. 8: 31-39). Shën Teresa e Avilës shkruante në librin e saj “Rruga e përsosmërisë”: “Varfëria është një e mirë që ngërthen në vetvete të gjithë të mirat e botës; na siguron sundim të gjerë, dua të them se na bën zotërues të gjithshkaje tokësore, në momentin që na bën t’i përbuzim “(2, 5). Masa sipas së cilës jemi në gjendje të dallojmë çka është e mira e vërtetë, është ajo që na bën të pasur para Hyjit e të urtë para vetes dhe të tjerëve. Është pikërisht kështu: në masën që arrini t’i jepni kuptimin e drejtë e të vërtetë pasurisë, atëherë rriteni në ndjenjë njerëzore e jeni të aftë të bashkëndani.

 

  1. Ftoj bashkëvëllezërit, ipeshkëvinjtë, meshtarët dhe veçanërisht diakonët, të cilët i janë kushtuar lutjes dhe shërbesës së fjalës për shërbesë ndaj të varfërve (Veprat 6: 1-7), së bashku me të konsakruarit si dhe shumë laikë e laike që në famulli, shoqata e lëvizje e bëjnë të prekshme përgjigjen e Kishës ndaj thirrjes së tskamnorëve, për t’a jetuar këtë Ditë Botërore si një moment të privilegjuar të ungjillizimit të ri. Të varfrit na ungjillizojnë, duke na ndihmuar të zbulojmë çdo ditë bukurinë e Ungjillit. Le të mos lejojmë që kjo mundësi e hirit të bjerë në vesh të shurdhër. Le të ndihemi të gjithë në këtë ditë debitorë ndaj tyre, që duke zgjatur duart drejt njëri-tjetrit të realizohet ai takim shpëtimtar që mbështet besimin, bën vepruese bamirësinë, dashurinë dhe i jep jetë shpresës për të vazhduar e sigurt në rrugëtimin drejt Hyut që vjen.

Nga Vatikani, 13 Qershor 2018

Kujtesë liturgjike nga Shën Antoni I Padovës.

 

Francesku

2018-11-17T16:31:12+00:00