Ditën e hënë, më datë 12 tetor 2020, Caritas-i Shqiptar DHE Projekti “Shpresa”, organizuan, në ambientet e kësaj të fundit, një aktivitet ndërgjegjësues lidhur me problemet e shëndetit mendor.

Ky aktivitet ishte në kuadër të partneritetit të dy organizatave tona në zbatim të projektit SOCIETIES 2, financuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian.

Aktiviteti u ndoq nga mbi 80 pjesëmarrës – banorë të shtëpive-familje të administruara nga Projekti “Shpresa”, familjarë të tyre, personel shërbimi, si dhe profesionistë të shëndetit publik.

Tematika e sivjetme kishte të bënte e gjitha me ndikimin e pandemisë Covid-19 mbi jetën e personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe psiko-sociale dhe të personelit të shërbimit në shtëpitë-familje.

Pas përshëndetjes së rastit, drejtuar të pranishmëve nga DND. Suela Ndoja, asistente e projektit SOCIETIES 2 dhe njëkohësisht supervizore dhe psikologe klinike e shoqatës “projekti Shpresa”, pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, fjala iu dha të ftuarve.

Mjekja psikiatre Dr. Valdet Hoxha dhe mjeku i punës Dr. Markensi Shllaku u shprehën se Covid-19 ndikon mbi rutinën e të gjithëve dhe sidomos të personave me aftësi të kufizuara intelektuale dhe psiko-sociale, duke gjeneruar stres, ankth, mërzitje dhe nervozizëm shtesë. Ata dhanë këshilla në ligjërim të thjeshtuar lidhur me kujdesin dhe masat e posaçme që gjithkush duhet të ketë në konsideratë në funksion të sigurimit të mbrojtjes maksimale për vete dhe për të tjerët.

Përfituesit e shërbimeve të Projektit “Shpresa” që përpara shfaqjes së pandemisë kishin qenë në marrëdhënie pune, nënvizuan frustrimin që ata provojnë teksa ende nuk u është mundësuar kthimi në vendet e punës as pas heqjes së masave të izolimit, ndërkohë që personeli i organizatës po mendon për mbushjen e boshllëkut që një gjë e tillë ka krijuar, si nëpërmjet aktiviteteve argëtuese, ashtu edhe duke shqyrtuar mundësinë e hapjes së aktiviteteve në punishtet e veta.

Stefan Paloka në cilësinë e koordinatorit shqiptar dhe nëpunës rajonal advokimi për projektin SOCIETIES 2, i njohu shkurtimisht të pranishmit me objektivat dhe rezultatet e pritshme të projektit, si dhe me aktivitetet e deritanishme në kuadër të implementimit të tij.

Lidhur me rifillimin e marrëdhënies së punës, pasi shprehu empatinë e tij si një person me aftësi të kufizuara të cilit për vite me radhë i ishte mohuar kjo e drejtë, ai i inkurajjoi të pranishmit që të bënin durim, pasi pandemia e ka një fund, duke shprehur shpresën se fundi i pandemisë do të sjellë edhe fundin e papunësisë për të gjithë.

Në komentet e tyre lidhur me komponentin e advokimit si një ndër më të rëndësishmit për projektin SICIETIES, klientët e shtëpive-familje u shprehën se kërkojnë që të lobohet që kujdestarëve të tyre t’u mundësohen paga më të larta, duke patur parasysh ngarkesën e madhe të punës dhe faktin se shërbimi në shtëpitë-familje ofrohet 24 orë në 24, gjë që shkaktoi te dëgjuesit emocione të forta.

Takimi u mbyll në një atmosferë shumë të ngrohtë dhe të gëzuar, e cila ndihej qartë në mesin e banorëve të shtëpive-familje, çka flet më shumë se çdo gjë se projekti “Shpresa” me punën e vet të vyer, Meriton të konsiderohet një pasuri e vërtetë kombëtare dhe një model i shërbimeve shoqërore cilësore dhe të qëndrueshme, aq shumë të kërkuara dhe të nevojshme në kontekstin social shqiptar.