Me datë 27.06.2018, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, gjatë një ceremonie ku ishin të pranishëm Nunci Apostolik, Ambasadori italian në Tiranë, deputetë dhe klerikë të lartë të Kishës Katolike, si dhe afërm të Arqipeshkëvit  Imzot Angelo Massafra, i akordoi Arqipeshkvit të Shkodrës, Dekoratën e Lartë “Nënë Tereza” duke vlerësuar maksimalisht  figurën e tij në krye të Kishës Katolike Shqiptare si dhe misionin e tij kundër plagës së rëndë të gjakmarrjes. Dekorata është dhënë me këtë motivacion “Për kontributin e shquar në drejtim të ripërtëritjes shpirtërore të besimit katolik në vendin tonë, për nxitjen, inkurajimin e promovimin e vazhdueshëm të bashkëjetesës paqësore, harmonisë dhe dialogut ndërfetar dhe në mirënjohje ndaj përkushtimit të paepur për zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes dhe rivendosjen e pajtimit kombëtar”.

“Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të nderoj me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, një arbëresh me vlera të jashtëzakonshme patriotike, fetare dhe humaniste”, u shpreh Presidenti Meta duke shtuar se, “ky vlerësim solemn për Imzot Massafrën mishëron simbolikën e duhur sepse nga njëra anë përkon me jubilen e Vitit të Skënderbeut dhe nga ana tjetër dekorata mban emrin e Shenjtores së madhe për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza”.

Ndër të tjera ai vlerësoi si të pazevendësueshëm kontributin e Imzot Massafrës në rimëkëmbjen dhe riorganizimin e institucioneve të Kishës Katolike shqiptare pas viteve 90’  duke theksuar  se kontributi i tij  në Shqipëri si një ‘udhëheqës shpirtëror’ dhe një klerik i devotshëm nuk mund të përkufizohet vetëm në rolin e tij të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin e komunitetit katolik shqiptar, pasi shkon përtej kornizës fetare për kultivimin dhe promovimin e vlerave tona unike të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”.

Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e vyer të Imzot Massafrës në shumë projekte bamirësie në ndihmë të komuniteteve më të margjinalizuara të shoqërisë sonë, si një shembull për të treguar të gjithë së bashku më shumë solidaritet dhe angazhim konkret për të luftuar plagën e varfërisë si armiku kryesor i progresit social e zhvillimit ekonomik.

Ai theksoi ndër të tjera se dëshmitë shpresëdhënëse të dhjetëra familjeve, të cilat me ndërmjetësimin personal të Imzot Massafrës dhe në emër të besimit të tyre, i kanë falur gjakun njëra-tjetrës janë një shembull frymëzues paqeje dhe pajtimi në misionin e mbarë shoqërisë shqiptare për ta ‘arkivuar’ një herë e mirë fenomenin e gjakmarrjes në ‘muzeun e historisë’.

Në predikimet e vyera për paqen, dashurinë dhe jetën, mesazhet e tij janë “aktuale dhe këmbanë alarmi për të gjithë ne, sidomos në drejtim të brezit të ri për t’i mbajtur të rinjtë dhe fëmijët tanë larg veseve dhe “sëmundjeve të kohëve moderne” siç janë droga, bixhozi apo alkooli.

Gjithashtu gjatë ceremonisë u vlerësua shumë kontributi i Imzot Massafrës në mikpritjen e mijëra vëllezërve dhe motrave kosovarë në Shkodër, të dëbuar si refugjatë gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Kreu i Shtetit u shpreh krenar për këtë përfaqësues të lartë të Kishës Katolike  pasi “ai simbolizon shembullin më fisnik të një arbëreshi të rikthyer në tokën e të parëve të tij, në përmbushje të ‘amanetit’ të heroit tone kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, por edhe të misionit të shenjtores tonë Nënë Tereza”.

Duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë, Imzot Massafra, pasi falënderoi kreun e shtetit shqiptar, vuri në dukje se: “Ju siguroj se do të vazhdoj të punoj e të jetoj për të mirën e kombit tonë dhe të Kishës, të cilës ia kam kushtuar dhe dhuruar jetën time. Këtë dekoratë ia kushtoj kishës martire në Shqipëri dhe të varfërve më të varfër, që ishin në zemrën e së Shenjtës sonë, Nënës Terezë të Kalkutës.”