Shpallen projektet fituese të thirrjes për propozime në kuadër të skemës së nënfinancimit të projektit “SOCIETIES 2”.

Në kuadër të skemës së nënfinancimit të projektit “SOCIETIES 2 – Mbështetje e organizatave të shoqërisë civile në fuqizimin e shprehive teknike, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe standardet e BE në Ballkanin perëndimor, faza e dytë”, financuar nga Komisioni i Bashkimit Evropian, Caritas-i Shqiptar publikoi thirrjen per aplikime për projekte drejtuar të gjitha organizatave jofitimprurëse që ofrojnë shërbime për këtë kategori.

Thirrje të tilla u hapën njëkohësisht edhe në katër vendet e tjera të zbatimit të projektit: Serbi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Thirrja qëndroi e hapur nga data 1 tetor deri më 15 nëntor 2020.

Për një informim sa më të gjerë të aplikuesve potencialë në funksion të vjeljes së propozimeve sa më cilësore dhe me sa më shumë shtrirje në territorin e vendit, u përdorën kanale të ndryshme komunikimi si: shpallja në faqen e Internetit të SOCIETIES 2 dhe në faqen zyrtare të Caritas-it Shqiptar, publikimi NË Facebook, njoftimi me anë të postës elektronike për një numër të madh organizatash etj.

Fokusi i thirrjes ishte ngritja e shërbimeve të reja dhe fuqizimi i shërbimeve ekzistuese për grupe të ndryshme personash me aftësi të kufizuara, si dhe ristrukturimi i organizatave të prekura nga situata e krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19.

Në kuadër të kësaj thirrjeje aplikuan gjithsej 19 organizata.

Aplikimet iu nënshtruan një procesi vlerësimi nga një komision i ngritur posaçërisht për këtë qëllim.

Në përfundim të këtij procesi, që zgjati nga data 15 nëntor deri më datë 15 dhjetor 2020, komisioni i vlerësimit përzgjodhi tetë projektet që do të mbështeten me financim nga projekti SOCIETIES, si më poshtë:

  1. “Fuqizim i grave me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor”, propozuar nga Fondacioni “Së bashku”, Tiranë;
  2. “Recharge – Mbështetje e fëmijeve me Aftësi të Kufizuara, për rikuperimin e aftësive të prekura nga Covid-19”, propozuar nga Down Syndrome Albania, Tiranë;
  3. “Mbështetje e personave me aftësi të kufizuara drejt jetesës së pavarur”, propozuar nga Shoqata “Ndihmoni Jetën”, Tiranë;
  4. “Kujdesem për ty”, propozuar nga CODE Partners, Shkodër;
  5. “Çdo jetë ka nevojë për përkujdesje”, propozuar nga Qendra Rinore “Motrat Venerini”, Gjadër Lezhë;
  6. “Gjithëpërfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në procesin edukativ të shkollës, propozuar nga Motrat „Bijat e Zellit Hyjnor“, administratore të Shkollës 9-vjeçare jopublike “Effata”, Pllanë, Lezhë;
  7. “Edukim dhe kujdes për fëmijët me aftësi ndryshe”, propozuar nga Global Care Albania, Kamëz dhe
  8. “Transport gjithëpërfshirës”, propozuar nga Club Kombëtar i prindërve CSA, Tiranë

Për 7 nga 8 projektet e miratuara për financim implementimi pritet të nisë në fillim të vitit që vjen, ndërkohë që për projektin e propozuar nga Down Syndrome Albania zbatimi nis në muajin prill 2021.

Caritas Shqiptar dhe partneri i tij në project, Projekti “Shpresa” Shkodër, do të shoqërojnë, monitorojnë dhe ndihmojnë me ekspertizën e tyre organizaatat përfituese për një implementim të suksesshëm të projekteve.

Projektet priten të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe, rrjedhimisht, në ngritjen e cilësisë së jetës së përfituesve në zonat e zbatimit.

Ato përbëjnë dëshminë e radhës të angazhimit të vazhdueshëm të rrjetit të Caritas-it në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe të Caritas-it Shqiptar për mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile si shtyllë e demokracisë dhe garanci e respektimit dhe avancimit të të drejtave të njeriut në rajonin dhe në vendin tonë, në funksion të përmbushjes së kushteve për integrim në Bashkimin Evropian.