Njoftim Info Sesion

Nga data 1 shkurt 2021, Caritas-i Shqiptar, në partneritet me Caritas Arkidioqezan Tivar, Mal i Zi, në rolin e liderit, si dhe organizatat e tyre partnere, përkatësisht Projektin “Shpresa” Shkodër dhe Shoqatën e Paraplegjikëve Tivar, kanë nisur zbatimin e projektit “A.C.C.E.N.T – Aksesueshmëri, Ndërgjegje qytetare, Punësim për personat me aftësi të kufizuara, si një prirje e re”.

Projekti financohet nga Komisioni i bashkimit Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi bazuar në IPA II (Instrument of Pre-accession Assistance), përkatësisht prioritetin 3 të marrëveshjes: Nxitje e punësimit, mobilitet i punës dhe bashkëpunim social dhe kulturor në të dy anët e kufirit, specifikisht e lidhur me rezultatin 3.1: Qasje në tregun e punës e përmirësuar, sidomos për grupet e dizavantazhuara.

Projekti do të zbatohet në zonën ndërkufitare, përkatësisht komunat Tivar dhe Ulqin në Mal të Zi dhe Bashkitë Lezhë dhe Shkodër në Shqipëri dhe ka si objektiv të përgjithshëm rritjen e shanseve të punësueshmërisë dhe punësimit për personat me aftësi të kufizuara në zonën ndërkufitare.

Në këtë kuadër, organizatat implementuese kanë nisur zbatimin e një sërë aktivitetesh paraprake, ndër të cilat i pari për territorin shqiptar ishte sesioni informues që u mbajt ditën e mërkurë, më datë 31 mars 2021 nën kujdesin e Caritas Shqiptar dhe Projektit “Shpresa” Shkodër në ambientet e Hotel “Rozafës” në qytetin e Shkodrës.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve publike, si dhe të asaj pjese të shoqërisë civile që angazhohet në fushën e aftësisë së kufizuar.

Koordinatori për Shqipërinë i projektit, Stefan Paloka, i njohu të pranishmit me projektin dhe elementet e tij kryesorë, me qëllim informimin dhe motivimin e tyre si grupe interesi për të marrë pjesë dhe kontribuuar në mënyrë aktive në projekt.

Në ndërhyrjet e tyre, pjesëmarrësit shprehën konsiderata të larta për projektin dhe rezultatet e tij të pritshme, si dhe u zotuan të japin ndihmesën e tyre për mbarëvajtjen e projektit dhe realizimin me sukses të objektivave të tij, në funksion të një shoqërie gjithëpërfshirëse si premisë themelore për rritjen e mirëqenies dhe ngritjen e cilësisë së jetesës të personave me aftësi të kufizuara.

Aktiviteti i radhës do të jetë sesioni informativ në Bashkinë Lezhë, i parashikuar të mbahet gjatë muajit prill 2021.