Vizitë studimore në Shqipëri

 

Në kuadër të projektit rajonal “SOCIETIES 2 – Mbështetje e organizatave të shoqërisë civile në fuqizimin e shprehive teknike, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe standardet e duhura në Ballkanin Perëndimor”, që në Shqipëri po zbatohet me fonde të Bashkimit Evropian nga Caritas-i Shqiptar në partneritet me Projektin “Shpresa” Shkodër, ndërmjet datave 27 dhe 30 qershor 2022, në vendin tonë u zhvillua një vizitë studimore.

Në këtë event madhor, përveç organizatave vendase, morën pjesë përfaqësues nga Caritas-et e Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, organizatat përkatëse partnere nga vendet e lartpërmendura, si dhe organizatat e shoqërisë civile përfituese të programit për ngritje kapacitetesh të projektit “SOCIETIES 2”.

Qëllimi i vizitës studimore ishte njohja e pjesëmarrësve me politikat, praktikat dhe sfidat me të cilat përballet procesi i ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse në Shqipëri në përgjithësi dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët në veçanti.

Pjesëmarrësit patën rastin të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale dhe Strehimit të Bashkisë Shkodër, z. Filip Vila, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, si dhe shefin e Shërbimit Psikiatrik të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, Dr. Gjon Preçi.

Ata vizituan gjithashtu realitete të ndryshme në të cilat ofrohen shërbime dhe përpunohen strategji advokuese dhe lobuese në favor të personave me aftësi të kufizuara, sikurse ishin Down Syndrome Albania, Projekti “Shpresa” Shkodër dhe qendra ditore e shëndetit mendor Shkodër, rifunksionalizimi i së cilës u bë i mundur falë një granti po në kuadër të projektit SOCIETIES 2.

Nëpërmjet dialogut intensiv dhe pyetjeve të shumta, miqtë nga rajoni i ballkanit Perëndimor morën njohuri dhe shkëmbyen përvojë me subjektet që vizituan, në funksion të ndërtimit të një platforme rajonale për përshpejtimin e proceseve gjithëpërfshirëse, qëllim final i së cilës mbetet rritja e cilësisë së jetesës të individëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.

 

Jemi zëri i grupeve në nevojë!

Fuqizojmë organizatat e shoqërisë civile si shtylla thelbësore të demokracisë!

Intensifikojmë dialogun social!

Përafrojmë standardet e rajonit me ato të Bashkimit Evropian!

 

#European Union

#Delegation of the European Union to Albania

#Caritas Albania

#Projekti “Shpresa”

#Project SOCIETIES

#Inclusive society

#Civil society organizations

#Capacity Building

#Social dialogue

#Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

#Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

#Bashkia Shkodër

#Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër

#Down Syndrome Albania