Tiranë me 25/11/2022

OBJEKT: Thirrje për pjesëmarrje në tender – Ekspert “Analizë Fizibiliteti” 

 Të nderuar Z./Znj.

Caritas Shqiptar është një organizatë humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më në nevojë në Shqipëri. Që nga viti 1994, Caritas Shqiptar është anëtar i Caritas Internationalis dhe Caritas Europa, rrjeti botëror i organizatave Katolike që ofrojnë ndihmë. Caritas Shqiptar punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitetet më të cënueshme, nxitjen e vullnetarizmit, aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit, mbështet drejtësinë dhe nismat e paqes që kanë si qëllim ndërtimin e urave mes komuniteteve të ndara. Caritas Shqiptar në kuadër të objektivave afatmesëm dhe afatgjatë ofron shërbime dhe asistencë pa dallime fetare, etnike apo raciale. Caritas Shqiptar funksionon në bazë të programeve: Programi Social, Programi Shëndetësor, Programi Anti-Trafikimit dhe Migracionit, Programi i Mbledhjes së Fondeve, Programi i Emergjencave dhe Programi i Shërbimeve Doganore, duke përdorur rrjetin unik të famullive, Kishave Katolike Shqiptare dhe komuniteteve fetare. Në mbarë Shqipërinë funksionojnë 6 Caritas-e Dioqezane, pjesë e rrjetit të Caritas Shqiptar dhe ata janë: Caritas Tiranë-Durrës, Caritas Shkodër-Pult, Caritas Sapa, Caritas Lezha, Caritas Rrëshen dhe Caritas Jugu, si dhe 95 misione referimi në të gjithë Shqipërinë.

Misioni 

Ne besojmë në vlerën e dinjitetin e jetës njerëzore. Ne ndihmojmë duke u bazuar në vlerat shpirtërore dhe humanitare. Besojmë që çdo njeri ka të drejtë të jetë i përfshirë në vendime që kanë ndikim në jetën e tyre. Ne besojmë se respekti për të drejtat e njeriut do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm.

Parimet dhe Vlerat 

• Respektimi i të drejtave të njeriut                                            • Drejtësia Sociale
• Respektimi i dinjitetit njerëzor                                                 • Paqja
• Përfshirja e vullnetarëve                                                             • Respektimi i kulturës dhe diversitetit
• Të njëjtë dhe të barabartë                                                           • Solidaritet


Autoritet Prokurues:                            Caritas Shqiptar

Objekti i Tenderit:                                “Ekspert – Analizë Fizibiliteti”

Fondi Limit:                                           2,500 €

Nr. i Referencës:                                    RFQ-EAF-ESAK-22 

Lloji i Procedurës:                                 Kërkesë për Ofertë (RFQ)

Data e Njoftimit të tenderit:                25/11/2022

Data e mbylljes së njoftimit:               15/12/2022 Ora: 16:00

Kohëzgjatja e kontratës:                       4 (katër) muaj


Caritas Shqiptar, në kuadër të projektit me titull “Your Job”, kërkon të kontraktojë një ekspert/grup ekspertësh për kryerjen e një analize fizibiliteti dhe për këtë do të zhvillohet një procedurë prokurimi. Për ofrimin e këtij shërbimi, ftohen të gjithë individët/kompanitë të paraqesin ofertat e tyre para datës 15 Dhjetor 2022 ora 16:00, duke ju referuar dokumentit Termat e Referencës (Kliko për të shkarkuar dokumentin).

MËNYRA E PJESËMARRJES NË TENDER

Hartimi i ofertës

Në zarfin e ofertës duhet të përfshihen dokumentat e mëposhtëm:

  • Curriculum Vitae e ekspertit dhe përshkrimin e përvojave të mëparshme të vlerësimit;
  • Përshkrimi i metodologjisë (përshkrimi i metodave të studimit që do të përdoren, etj.);
  • Përbërja e ekipeve të studimit, nëse ka (për secilin ekspert të propozuar, bashkë me propozimin, duhet dorëzuar dhe një curriculum vitae si dhe mënyra se si pjesëtarët e ekipit do të përfshihen në studim);
  • Formulari i Ofertës, plotësuar sipas Aneks RFQ (Kliko për të shkarkuar dokumentin).

Subjektet duhet të dorëzojnë dorazi, vetëm ofertën origjinale të futur në një zarf jotransparent, të mbyllur, të vulosur dhe firmosur me emrin dhe adresën e ofertuesit dhe të shënuar:

“Ofertë për Ekspert – Analizë Fizibiliteti; RFQ-EAF-ESAK-22” 

Caritas Shqiptar 

Adresa: Rruga “Don Bosko”, Nr. 4 Tiranë; Tel: + 355 4 22 30088; Fax: + 355 4 22 34327 

Çdo ofertë e marrë pas datës së mbylljes së tenderit nuk do të pranohet.

Caritas Shqiptar mund të zgjasë afatin kohor për dorëzimin e ofertave, duke njoftuar me shkrim të gjithë individët/kompanitë pjesëmarrës ose duke bërë publik njoftimin për shtyrje afati.

Të gjitha çmimet duhet të kuotohen në Monedhën Shqiptare (Lekë), duke përfshirë edhe tatimet që zbatohen, por duke specifikuar nëse përfshihet TVSH ose jo.

Gjithë dokumentacioni i ofertës duhet të pergatitet në gjuhën shqipe.

KRITERET E PËRZGJEDHJES 

Formula e vlerësimit 

Komisioni i vlerësimit do të analizojë së pari dokumentacionin përkatës dhe do të vlerësojë nëse individi/kompania është i/e përshtatshme në lidhje me kërkesat e paraqitura nga Caritas Shqiptar.

Oferta fituese do të zgjidhet mbi kriterin e Ofertës Ekonomike më të favorshme.

Formula e vlerësimit të Ofertës më Ekonomike (Oe) do të jetë si mëposhtë:

Oe = CV + PM + PES + OF

Ku:

  • CV = Curriculum Vitae më e mirë do të vlerësohet maksimalisht me 30 Pikë;
  • PM = Përshkrimi i Metodologjisë më të mirë do të vlerësohet maksimalisht me 20 Pikë;
  • PES = Përbërja e Ekipeve të Studimit më të mirë do të vlerësohet maksimalisht me 20 Pikë;
  • OF = Oferta Financiare më e mirë do të vlerësohet maksimalisht me 30 Pikë.

Renditja e ofertuesve do të jetë me një diferencë prej 10 (dhjetë) pikësh, konkretisht sipas shembullit mëposhtë:

Kriteri C

  1. Vendi i parë do të vlerësohet me 30 Pikë
  2. Vendi i dytë do të vlerësohet me 20 Pikë;
  3. Vendi i tretë do të vlerësohet me 10 Pikë;
  4. Vendi i katërt do të vlerësohet me 0 Pikë.

Për të gjitha kriteret e përcaktuara në formulën e vlerësimit, do të zbatohet renditja sipas shembullit të mësipërm.