Më datë 14 Dhjetor 2018, në ambjentet e Hotel Mondial, Caritas Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, dhe pjesëmarrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, organizatave partnere organizoi tryezën e rrumbullakët me temë: Riintegrim social-ekonomik të të miturve gjatë dhe pas përfundimit të periudhës së dënimit.

Tryeza është konceptuar në mënyrë të tillë që të ketë një përbërje specialistësh dhe teknicienësh si për institucionet shtetërore dhe për shoqatat me fokus riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin. Një përfaqësim i tillë teknicienësh jep një ekspertizë më të mirë profesionale si dhe një panoramë të qartë me kuadrin e ri ligjor të të rinjve në konflikt me ligjin.

Zhvillimi i tryezës është ndarë në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë karakterizohet me elementë informues dhe teorik e prezantuar nga Drejtoria e Drejtësisë Rregullatore pranë Ministrisë së Drejtësisë rreth kuadrit të ri ligjor dhe implementimit të tij.

Pjesa e dytë, më shumë u orientua në dimensionin praktik dhe efekteve që rrjedhin nga ligji i ri. Përfaqësuesit të Caritas Franca dhe Gjermania prezantuan rezultatet dhe përfundimet kryesore të sintezës europiane dhe i ftuan pjesëmarrësit të ndahen në dy grupe pune, për të nxjerrë rekomandimet kryesore të këtij studimi. Në bazë të të dhënave të studimit, grupet nxorrën disa rekomandime të përshtatura në kontekstin shqiptar për të miturit në konflikt me ligjin.